Tahiri: 50 ditë qeverisje treguan se sa afër është Kurti me Serbinë dhe sa larg me Shqipërinë

01 maj 2020 | 13:57

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka thënë se 50 ditët e qeverisjes kanë treguar se sa afër është Albin Kurti me Serbinë dhe sa larg me Shqipërinë.

Ai në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se për 50 ditë, Kurti është përpjekur ta përulte Kosovën dhe qytetarët e saj karshi Serbisë, në mënyrë të turpshme dhe antikombëtare.

“Dhe kur nuk mund të pritej më shumë përulje nga një shqipfolës, ai e referoi për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, kushtetutën e Serbisë. Pra, kushtetutën në të cilën Kosova është pjesë e Serbisë, si territor, si shoqëri, si identitet e si histori”, ka shkruar Tahiri në llogarinë e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i Tahirit:

Për 50 ditë në qeverisje, Albin Kurti u përpoq ta përulte Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj karshi Serbisë, në mënyrë të turpshme, antikombëtare e antishtetërore.

1. E nisi me shkëmbimet gazmore me Bërnabiqin, duke harruar kauzën e tij. U hamend ta shndërrojë në vepër daljen në det të Serbisë përmes Kosovës, duke ia plotësuar kërkesën historike të saj.

2. Në kohë pandemie vazhdoi me dorëzimin e komunave veriore në duart e juridiksionit dhe pushtetit serb, duke i harruar zotimet për sovranitet në atë pjesë.

3. Përmes pranimit të 1000 testeve nga Serbia, rehabilitoi Vuçiqin si njeri human, personin që ishte pjesë e makinerisë së Millosheviqit, përgjegjësit për 13 mijë viktima civile në Kosovë.

4. U kujdes t’ia bëjë argatin Serbisë përmes këshilltarit të tij, që njeriun e përgatitur në Moskë e furnizuar në Beograd, Dik Martin, e quante si mik të Kosovës, e pjesëtarët e UÇK-së si kriminelë lufte.

5. Dhe kur nuk mund të pritej më shumë përulje nga një shqipfolës, ai e referoi për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, kushtetutën e Serbisë. Pra, kushtetutën në të cilën Kosova është pjesë e Serbisë, si territor, si shoqëri, si identitet e si histori.

50 dite qeverisje treguan se sa afër është Albin Kurti me Serbinë dhe sa larg me Shqipërinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dafina Zeqiri ka paralajmëruar këngën e saj të re në…