30 kandidatë eliminohen nga gara për anëtarë të bordit të RTK-së

28 tetor 2021 | 16:10

Komisioni Ad hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të bordit të RTK-së, ka shqyrtuar të enjten listën e kandidatëve të propozuar, me ç’rast janë eliminuar 30 kandidatë për shkak të mosplotësimit të kritereve për aplikim.

10 prej kandidatëve janë eliminuar për shkak se kanë arritur moshën e pensionimit, derisa pati të tillë që u eliminuan për shkak të mos plotësimit të dokumentacionit të kërkuar edhe përkundër që u është dhënë mundësia për një gjë të tillë. Për intervistim do të ftohen 102 kandidatë që i kanë plotësuar kriteret, nga gjithsej 132 sa kanë aplikuar.

Kryetari i këtij komisioni, Armend Zemaj, ka thënë se në mesin e këtyre 30 personave që nuk ftohen për intervistim janë edhe 10 kandidatë që kanë arritur moshën e pensionimit.

“Sipas listës që e kemi, 10 kandidatë përjashtohen nga lista për shkak të pensionimit, me thënë të drejtën mua personalisht më vjen keq që kjo pikë është kështu, por kështu e kemi opinionin ligjor siç na është thënë edhe nga konkurset e fundit. Dy kandidatë janë të komunitetit tjera jo shumicë, një kandidat nuk ka treguar nënshtetësi apo nuk ka paraqitur nënshtetësi të Kosovës dhe nuk ka paraqitur asnjë aplikacion sipas kushteve të konkursit edhe pse i është dhënë afat dhe tre kandidatë janë evidentuar në kundërshtim me nenin 27 të Ligjit për RTK-në. Nga të gjitha aplikimet 30 persona nuk ftohen për intervistim për arsye të ndryshme të cilat bien në kundërshtim me ligjin dhe procedurat e konkursit”, tha Zemaj.

Anëtarët e këtij komisioni kanë diskutuar nëse duhet të vazhdohet tutje me procedura të përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të RTK-së, përderisa ka një ankesë në Kushtetuese rreth shkarkimit të anëtarëve të Bordit të RTK-së nga Kuvendi i Kosovës.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka pasur dilema nëse duhet të vazhdohet tutje me këtë proces derisa Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë vendim për pezullimin e vendimit të shkarkimit të Bordit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbyesve Civil.

Ndërsa deputetja e Vetëvendosjes, Doarsa Kica-Xhelili, ka thënë se duhet të vazhdojnë me procedurat e përzgjedhjes së anëtarëve të bordit të RTK-së dhe nëse do të ketë vendim nga Gjykata Kushtetuese, atëherë do ta pezullojnë punën e komisionit.

Edhe kryetari i këtij komisioni, Armend Zemaj, ka thënë se komisioni duhet ta vazhdojë punën derisa nuk ka një vendim. Një konstatim i tillë është përkrahur nga të gjithë anëtarët e komisionit.

Anëtarët e komisionit janë dakorduar që intervistimi i çdo kandidati të zgjasë 20 minuta dhe që pyetjet të jenë të njëjta. Në komision është vendosur që poentomi i kandidatëve të jetë i hapur dhe në fund të procesit anëtarët e shoqërisë civile do të mund t’i pyesin deputetët për poentimin që kanë bërë ndaj kandidatëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një delegacion i Inspektoratit Shëndetësor të Republikës së Shqipërisë, i…