30 vjet nga demonstratat më të përgjakshme dhe heroike të marsit ’89

27 mars 12:27

– Rënia heroike e dëshmorëve thërret për sendërtimin e plotë në vepër të amanetit të tyre

Besart Krasniqi

Tri dekada nga demonstratat e përgjakshme të 27 marsit të vitit 1989 dhe kujtesa liridashëse shqiptare për këtë rezistencë dhe sakrificë të madhe ka mbetur e freskët në mendjet dhe zemrat tona, në të cilat ra në fushën e nderit dëshmori i kombit Ismet Krasniqi. Ishin këto demonstratat më të përgjakshme në historinë e Kosovës, njëkohësisht edhe më heroiket. Demonstruesit shqiptarë treguan se më e shtrenjtë ishte liria sesa jeta nën robëri. Ata, edhe duke u kacafytur me bishat karpatiane fytafytas, treguan se mllefi shqiptar vetëm sa shtohej kundër okupimit serbosllav të Kosovës, në mënyrë që ajo njëherë e përgjithmonë të çlirohet dhe që shqiptarët të vetëvendosin për të ardhmen e tyre.

Në programet për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova dhe popullimin e saj me kolonët serbo-malazezë, antishqiptarët Vasa Çurbilloviq, Ilija Garashanin, Rankoviq, Milosheviq etj. kaherë kishin bërë planet djallëzore duke e orientuar tehun ndaj kombit tonë deri edhe në shfarosjen fizike. Por ishte rinia shqiptare në veçanti, dhe populli në përgjithësi, që nuk lejuan të realizoheshin planet fashiste të kriminelëve serbo-çetnikë, duke u organizuar vazhdimisht për ta bërë të paqëndrueshëm praninë e forcave okupatore në Kosovë dhe për çlirimin e saj deri në bashkimin përfundimtar kombëtar, siç ishte amaneti i dëshmorëve dhe është edhe vullnet i popullit tonë liridashës.

Kështu ndodhi edhe në demonstratat e 27 marsit të vitit 1989, me ç’rast demonstruesit sypatrembur dëshmuan se kur jemi të organizuar dhe të vendosur në kauzën tonë të drejtë, edhe pse përballë kishim një makineri të tërë forcash policore-ushtarake serbo sllave, e pajisur me armatimin më të rëndë, mund t’ia dalim. Pra, siç u pa në vazhdimësi, gjatë përpjekjeve për kauzën tonë të madhe, u vërtetua se vetëm bashkimi bënë fuqinë, siç ndodhi edhe në përballje me një shtet artificial 22 milionësh të quajtur “Jugosllavi”. Demonstratat e ’89-s sikur ato të ’68-s, të ’81-shes, të ’97-s ishin pararendëse të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të kryekomandantit legjendar Adem Jashari dhe komandantit të shquar Zahir Pajaziti.

Dëshmori i kombit Ismet Krasniqi, gjatë shërbimit ushtarak që shkoi më 1979, organizoi edhe takime me bashkëmoshatarët shqiptarë për të diskutuar për rrugëdaljen e popullit shqiptar nga kaosi dhe padrejtësia, për çka edhe merret në pyetje dhe burgoset me urdhrin e oficerëve serbo-jugosllavë, për të shijuar kështu 60 ditë izolim në burgun ushtarak të Karllovcit dhe të Zagrebit të Kroacisë, me ç’rast edhe ushtrohet dhunë ndaj tij. Ndërkohë që gjatë qëndrimit të satrapit Tito atje, Ismeti sërish arrestohet, duke u mbajtur i izoluar.

Si u zhvillua demonstrata në Prishtinë

Ishte viti 1981. Ismet Krasniqi çdoherë prin në organizimet e demonstratave me të rinjtë e ilegales në lagjen ish-Vranjevci dhe më gjerë, duke vërshuar drejt qendrës së Prishtinës. Ishte i pranishëm edhe në organizimin e shumë demonstratave nëpër qytete të tjera të Kosovës, si në ish-Podujevë (tani Besianë), Ferizaj etj. Në manifestimin e organizuar nga autoritetet komunale më 1982, Ismeti si një i ri entuziast dhe trim shqiptar e shqyen flamurin ‘jugosllav’ dhe, duke vrapuar, në të njëjtën shtizë e vendos flamurin kombëtar shqiptar, për çka edhe arrestohet të nesërmen në vendin e punës dhe prapë dënohet me 60 ditë burgim, të cilat i vuan në burgun e Prishtinës, Ferizajt dhe Mitrovicës. Në lagjen ish-Vranjevci dhe në tërë qytetin e Prishtinës, ai përherë është aktiv me afishe, parulla dhe thirrje për liri dhe ribashkimin e popullit shqiptar në një Shqipëri.

Në një fjalim të njohur gjatë një proteste të organizuar në Prishtinë, gjashtë muaj para se të bjerë dëshmor, Ismeti hapur dhe pa u hamendur, duke dëshmuar edhe një herë trimërinë dhe patriotizmin e tij, në prani të forcave policore serbo-sllave kërkon Republikën për Kosovën, duke theksuar se gjaku i dëshmorëve të rënë do të jetë një bazament i fuqishëm në themelet e lirisë së saj.

Edhe fillimi i vitit 1989 Ismetin e gjen në aksionin për shpërndarjen e parullave dhe afisheve përmes të cilave i bëhet thirrje popullit për zgjim.

Më 22 mars 1989 Ismetin e marrin në të ashtuquajturën “bisedë informative” ku e kërcënojnë edhe me likuidim. Mirëpo ai nuk e ndal veprimtarinë atdhetare. Madje, ua thotë haptas inspektorëve të UDB-së, se nuk do të pushojë së vepruari për kauzën kombëtare shqiptare me asnjë çmim.

Ndërsa, më 26 mars, pra një ditë para demonstratave më të përgjakshme që kanë ndodhur ndonjëherë në Kosovë, ai sërish gjendet në krye të organizimit të demonstratave në Vranjevc, duke ftuar të rinjtë e kësaj lagjeje kryengritëse për një demonstratë edhe më të fuqishme të nesërmen kundër Serbisë okupatore që do të mbahej në Prishtinë.

27 mars 1989. Ndërsa gjendet në ballë të demonstruesve në qendrën e qytetit, duke iu prirë bashkë me shokë, diku rreth orës 15:10, Ismetin u munduan ta arrestonin nja katër inspektorë të UDB-së. Mirëpo zhdërvjelltësia e tij bëri që ata mos t’ia arrinin. Masa e popullit, e gatshme për të demonstruar kundër okupimit serb, sa vinte e shtohej, e cila, me të filluar demonstrata, has në kordonët policorë serbo-jugosllavë, që provojnë ta shpërndajnë turmën me ndërhyrje fizike dhe përmes gazit të shumtë lotsjellës. Në këtë përleshje në mes të demonstruesve duarthatë dhe policëve të armatosur deri në dhëmbë, Ismeti me shokë nuk ndalet duke iu prirë masës dhe duke brohoritur për liri dhe fitore. Duke brohoritur për lirinë dhe Republikën e Kosovës me entuziazëm, është ora rreth 17:30 e të njëjtës datë, në rrëmujën e demonstratave që shkaktohej edhe nga të shtënat e armëve, ai nuk ndalet, por thërret duke ngritur dorën: “Përpara shokë deri në fitore!” Dhe nga një autoblindë, dëshmori Ismet Krasniqi qëllohet me snajper nga një serbo-çetnik, duke rënë heroikisht në fushën e nderit për të mos vdekur kurrë. Ideali i tij dhe i të gjithë dëshmorëve të tjerë kurrë nuk do të harrohen, por do të kujtohet me pietet brez pas brezi. Ndërsa populli shqiptar ka për obligim që të bashkohet dhe të jemi të vendosur në mënyrë që të sendërtojmë në vepër amanetin e dëshmorëve për pavarësi të plotë e sovrane dhe bashkim kombëtar.

Në demonstratat e 27 dhe 28 marsit Kosovë ranë dëshmorë 28 demonstrues shqiptarë si dhe u plagosën e u arrestuan qindra të tjerë, ndërsa vetëm në Prishtinë më 27 mars 1989 ranë dëshmorë Ismet Krasniqi, Vetim Shala, Sevdat Xhafolli, Shukrije Obërtinca dhe Mustafë Veselaj, të cilët në mënyrën më heroike ranë në fushën e nderit.

Lajme të sponsorizuara