Precedenti pozitiv i Gjykatës Kushtetuese dhe disiplinimi i politikës

08 qershor 2020 | 11:09

Shkruan: Hisen Berisha

Periudha pas mocionit të mosbesimit dhe shkarkimi i qeverisë Kurti krijoi shqetësim filozofik mbi tendencat se kah po e orienton Albini LV-në dhe mund të konstatohej se: kërcënimi për gjakderdhje nga eksponentët dhe anëtarët e rëndësishëm të LV-së, përfshirë rrethanën Agim Veliu, përkrahja që i vinte nga jashtë, sidomos nga zonja Von Cramon dhe Qeveria e Francës dhe e Gjermanisë, çojnë deri te krijimi i shumë precedentëve si zëvendësimi i kabinetit Hoti, veçanërisht Albini po krijonte predispozita për ta krijuar një “qeveri paralele” dhe se ai do mundohej që kjo qeveri në stilin e përafërt me të Lulzim Bashës në Tiranë, do të tentonte të imponohej përmes ndikimit që e majta evropiane ka në diplomacinë botërore.

Por çka ndryshoi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese?

Zonja Von Kramon, pas vendimit të Kushtetueses, deklaroi hapur se “të gjithë duhet ta respektojnë vendimin e gjykatës dhe duhet të përmbahen dhe qëndrojnë larg dhunës”. Këto deklarata janë pasuar nga krejt faktorët relevantë të politikës ndërkombëtare të përfshirë në çështjen e Kosovës.

Kështu që LV-së i mbeti të gjejë metoda të “revolucioneve të vonuara demokratike” për ta bërë politikën kundërshtuese, gjë që e pres që Albini edhe më tej, duke mbetur jashtë Kuvendit, do ta krijojë kabinetin në selinë e partisë dhe do të tentojë ta bllokojë punën e qeverisë dhe Kuvendit përmes të gjitha mundësive që i jepen, në mënyrë që sa më shpejt ta bindë botën dhe shqiptarët se edhe kjo qeveri po dështon në vendimmarrjet e rëndësishme dhe se vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Pra, edhe më tutje jam i mendimit se jo përmes revoltave me “gjakderdhje”, Albini do ta përmbysë qeverinë Hoti.

Precedenti pozitiv juridik i Gjykatës Kushtetuese

LV-ja gjatë qeverisjes së Republikës së Kosovës dy herë kishte shkelur Kushtetutën, me vendimet e kufizimit të të drejtave të lëvizjes së lirë të shtetasve të saj, ndërsa në kontestim me dekretin presidencial, LV-ja e dërgoi në kushtetuese atë jo për të fituar ndaj dekretit, por për të fituar kundër Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe t’i mbivendosej.

Ndërsa vendimi i gjykatës në pikëpamjen time është precedan në kontekstin pozitiv ngaqë LV-në arriti ta disiplinojë dhe ta detyrojë që nga një lëvizje anarkiste-neokomuniste me zëdhënës kontrovers (siç i kujtojmë thirrjet e Agim Bahtirit, avokatit Tomë Gashi, deklarimet publike e zyrtare të lidershipit drejtues të subjektit dhe në qeveri et.j) që me fjalor nxitës po tentonin t’i shtynin qytetarët në përplasje civile e gjakderdhje. Mençuria dhe arsyetimi i Gjykatës, duke mos lënë asnjë hapësirë për dykuptimësi, preciziteti i lartë në interpretimin juridik dhe fryma shtetërore e një republike parlamentare, u vulosën përmes vendimit të saj dhe në këtë konstelacion, ky vendim përbën precedentin pozitiv juridik në praktikat e gjykatave kushtetuese në botë, për çka duhen përgëzuar gjyqtarët e saj, si gardianët e Republikës së Kosovës jo vetëm në këtë rast. Me këtë do të vendosen norma të sjelljes me kulturë institucionale dhe shtetformuese, nuk do të lejohet më vendosja e hegjemonisë personale apo konjukturale të asnjë individi, subjekti apo grupimi politik. Të fituarit e zgjedhjeve, apo qenia parti e parë, nuk do të thotë mbivendosje ndaj kushtetutshmërisë në aspektin procedural ligjor dhe të funksionimit të institucioneve shtetërore.  Praktika sfidon teoritë sado të avancuara të jenë si doktrina zhvillimore. Ndaj Gjykata Kushtetuese tashmë e ka shtuar rolin juridik si gardiane e kushtetutshmërisë dhe demokracisë parlamentare në vendin tonë.

Pritjet nga qeveria Hoti

Qeveria Hoti i mori votat indikative, të nevojshme për fillimin e mandatit dhe sot formalisht filloi punën. Zotëri Hotin në kujtesën qeverisëse kujtohet si ministri që vuri disiplinën financiare gjatë qeverisjes Mustafa/Thaçi.

Ai paraqiti katër objektiva parësore të qeverisë:

  1. Pandeminë e cila po vazhdon;
  2. Ringritjen ekonomike post-pandemi;
  3. Reformën elektorale dhe reformën në drejtësi; dhe
  4. Bisedimet me Serbinë.

A do t’i arrijë objektivat dhe sa përballon kjo qeveri?

Së pari vështirësi më të madhe se pandemia, korrupsioni dhe opozitarizmi i Albinit, duhet parë situatën në të cilën aktualisht ndodhet Amerika. Kriza politike dhe e sigurisë që po kalon ShBA-ja paraqet krizë të madhe edhe në Republikën e Kosovës. Kjo e vështirëson fillimisht tërë përpjekjen, akoma më keq, sepse kjo krizë paraqet krizën nëpër të cilën po kalon Partia Republikane në ShBA. Nga përvojat e së kaluarës, kur republikanët janë në disavantazh, ngritën ekstremet e majta nëpër botë dhe këto majtizma cenojnë ekzistencën e kombit shqiptarë nëpër shtetet e ndryshme ku kombi shqiptar shtrihet. Vështirësia kundër pandemisë dhe ringritja ekonomike nuk janë telashe për këtë qeveri, por janë bisedimet me Serbinë, ngaqë kjo temë ka rrëzuar tri qeveri deri tani. Me stabilizimin e situatës në ShBA bisedimet serbo-kosovare duhet të rifillojnë shumë shpejt. Në këtë fazë bisedimet do të jenë tepër të rënda, por përcaktuese, ndaj pritet se kjo qeveri do ta nënshkruajë marrëveshjen përfundimtare, me theks miratimin e saj në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Edhe partive opozitare do t’u përshtatet të mbërrijnë në fundin e këtij kapitulli.

Çfarë do të qëndrojë në themel të ujdisë serbo-kosovare?

Krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sipas rekomandimeve të Gjykatës kushtetuese, do të jetë themeli i arritjes së ujdisë me Serbinë. Lëvizja e kufijve si temë do të ishte e dëshirueshme sikur t’i krijohej Kosovës mundësia ta rikthente nën administrim edhe Sanxhakun edhe Kosovën Lindore, me këtë edhe standardet e “Pakos së Ahtisarit” përmes së cilës në do të garantonim të drejtat e pakicës serbe në Kosovë. Që nga viti 1999 Republika e Kosovës si shtet i ka treguar Botës se nuk i shkel të drejtat e askujt. Asnjë serb nuk është burgosur në Kosovën e pas luftës pse është anëtar i ndonjë partie serbe, në asnjë palë zgjedhje partitë serbe nuk janë diskriminuar. Kuvendi i Kosovës kurrë nuk ka sjellë propozimligje për ndaljen e investimeve në komuna serbe. Decentralizimi dhe formimi i komunave ua ka lehtësuar jetën pakicës serbe në Kosovë, përfshirja në Polici dhe FAK si dhe mjetet e informimit në gjuhën serbe si TV dhe media të tjera, janë treguesit më të mirë se komuniteti serb brenda shtetit të Kosovës jeton më mirë se kudo tjetër. Prandaj, sikur bota të donte do të duhej t’i ndreqte padrejtësitë historike, që pas “luftërave ballkanike”, posaçërisht pas Luftës se Dytë Botërore t’i kornizonte tokat tona.

Ne garantojmë se nuk i dëbojmë serbët nga Sanxhaku as nga cilido qytet i Kosovës, por do t’i garantonim liritë dhe të drejtat e njeriut sipas konventave të të drejtave të pakicave dhe bazuar në “Pakon e Ahtisarit”. Pra, të gjitha këto janë një arsye e mirë që Kosovës t’i kthehet Kosova Lindore dhe Sanxhaku. Kurse shkëmbimi i territoreve nuk mund të ndodhë. Në Kosovë nuk ka tokë serbe. Nuk kemi çka i japim askujt! ( Bosnja, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia Veriut dhe Greqia kanë toka shqiptare në zotërim/okupim. Ndaj kjo duhet diskutuar shpejt besoj, në një kostelacion të ri botëror.

Sjellja e PDK-së ndaj qeverisë?

PDK-ja ka treguar se ashtu siç ishte mbrojtësja e shtetit dhe kushtetutshmërisë kur ishte në qeverisje, do të jetë edhe tani kur është në opozitë. PDK-ja nuk do ta mbështesë asnjë propozim a vendim që rrezikon shtetin e Kosovës, nuk bën pazare për qeveritë, por bën politikë shtetërore. E tillë pritet të mbetet edhe më tej. Besoj shumë se qeveria Hoti do t’i krijojë opozitës më shumë hapësirë konsultimi dhe krijimi të politikave shtetërore qoftë përmes grupeve parlamentare, qoftë përmes ngritjes së trupave të përkohshme qeveritare për çështje të caktuara. PDK-ja do të jetë përherë mburoja e sovranitetit dhe kushtetutshmërisë së Kosovës.

Presidenti Thaçi në krizën institucionale

Reforma elektorale në Kosovë duhet të ndodhë. Nuk mund të pritet shpejt që Kosova të kalojë në shtet presidencial, se duhet përcjellë me shumë ndryshime kushtetuese që e përcaktojnë formën e regjimit, por jam i sigurt se Hashim Thaçi nuk do t’i imponohet kurrë kombit shqiptar si lider ose president i kulisave politike. Jam i sigurt se do të jetë president i vullnetit politik kombëtar, i shprehur lirshëm në çfarëdo forme zgjedhore. Dy mandate presidenciale të z. Hashim Thaçi unë mendoj se Republikën e Kosovës do ta stabilizojnë si shtet qoftë në raportet ndërkombëtare, në aspektin integrues, qoftë në rrafshin e stabilitetit të politikave të brendshme. Kosovës i duhet edhe për një kohë një personalitet me peshë politike dhe me të kaluar politike e cila i lidhë të gjitha etapat nëpër të cilat kaloi Kosova si shtet, që nga shpallja përmes Kushtetutës së Kaçanikut e derisa të anëtarësohet në NATO.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka bërë…