Zenelaj: Të luash për Kosovën është krenari e madhe

16 qershor 2020 | 13:43

Shumë basketbollistë të Kosovës luajnë me sukses në skuadrat evropiane. Njëri ndër ta është edhe Denis Zenelaj.

Ai paraqitet për skuadrën gjermane, Eisbaren Bremerhaven në Bundesliga 1 për U-19. “Sezoni i fundit ka qenë shumë i suksesshëm për mua, si me paraqitje personale, ashtu edhe ekipore”, ka thënë në fillim Zenelaj për faqen zyrtare të FBK-së.

“Synimet e mia për të ardhmen janë të jem pjesë e Bundesligës së Parë gjermane dhe pjesë e një skuadre të Euroligës. Real Madridi, Fenerbahçe dhe CSKA Moska janë skuadrat e preferuara e mia ku do të doja të luaja një ditë”, ka shtuar tutje Zenelaj.

Denisi, i cili ka luajtur për Kerasan Prishtinën, është pjesë e grupmoshave të reja të Kosovës. “Të luash për Kosovën, është një ndjenjë krenarie dhe kënaqësi, që mund ta ndjej vetëm kur luaj për Kosovën dhe jo në ndeshje tjera”, ka shtuar tutje basketbollisti i talentuar.

Në fund tregon se sa e rëndësishme është të stërvitesh në këtë kohë pandemie. “Është shumë e rëndësishme që të jemi fizikisht në formë, sepse në kohërat e vështira dallojnë lojtarët e pasuksesshëm nga ata të suksesshëm”, përfundoi Denis Zenelaj. Ai është vetëm 17-vjeçar dhe shihet si një basketbollist me të ardhme të ndritur.

(V.Z / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, priti sot ambasadorin…