Spurs pas 22 vjetësh nuk kualifikohet në ‘play-off’

14 gusht 2020 | 15:05

U luajtën gjashtë takimet radhës në NBA, në të cilat pritej të jepeshin verdiktet e fundit të sezonit të rregullt. Gjithçka shkoi brenda pritshmërive me fitoret e Portland Trail Blazers dhe Memphis Grizzlies, me këta të fundit që pas disa javëve në ferr duhet të falënderojnë Milwaukee Bucks, që nuk u impenjuan shumë, duke e pasur mendjen tashmë në “play-off”.

Eliminohen Phoenix Suns dhe San Antonio Spurs. Portland Trail Blazers arritën të triumfonin në frymën e fundit ndaj Brooklyn Nets me rezultatin 134-133. Në këtë përballje të ekuilibruar diferencën e bëri Damian Lillard, që realizoi plot 42 pikë dhe dha 12 asistime, ndërsa në radhët e Nets spikati me 37 pikë Caris LeVert, që gjithsesi gaboi në gjuajtjen e fundit, që do të mund të siguronte fitoren e skuadrës së tij. Për Blazers, që e mbyllën sezonin e rregullt në vendin e tetë në Perëndim, do të mjaftojë një fitore në dy përplasjet me Grizzlies për të vijuar më tej sezonin. Memphis, që shpërdori një avantazh të madh ndaj rivalëve me humbjet e javëve të fundit, vijon mrekullisht rrugëtimin, falë suksesit 119-106 ndaj Milwaukee Bucks, me këta të fundit që kursyen energjitë, duke mos aktivizuar disa nga elementët kryesorë të skuadrës, ndërsa Giannis Antetokounmpo, për fatin e mirë të Grizzlies, ishte i skualifikuar. Spikati me 31 pikë Dillon Brooks, pa harruar ndihmën e jashtëzakonshme të Jonas Valanciunas, që e mbylli takimin me “triple double”: 26 pikë, 19 “rebound” dhe 12 asistime.

Shpresuan deri në fund Phoenix Suns, që patën një ecuri të pabesueshme në këtë rikthim të NBA-së pas ndërprerjes. Skuadra nga Arizona triumfoi 128-102 ndaj Dallas Mavericks, por për të shkuar në “play-off” i nevojitej edhe suksesi e Brooklyn Nets ndaj Blazers, i cili nuk erdhi. San Antonio Spurs u mposhtën 118-112 përballë Utah Jazz, me teksanët që dështojnë të luajnë në “play-off” pas kualifikimit në 22 edicione radhazi. Në takimet e tjera kishte pak interes. Boston Cetlics “pushuan” ndaj Wizards, duke u mposhtur 96-90, ndërsa Los Angeles Lakers e hoqën këmbën nga gazi, duke u dorëzuar 136-122 ndaj Sacramento Kings. /SS/

Rezultatet

Boston Celtics – Washington Wizards        90-96
Los Angeles Lakers – Sacramento Kings    122-136
Memphis Grizzlies – Milwaukee Bucks      119-106
Phoenix Suns – Dallas Mavericks                128-102
Utah Jazz – San Antonio Spurs                    118-112
Brooklyn Nets – Portland Trail Blazers      133-134

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në raport me tremujorin…