Partitë, ende të ndara për pozitën e presidentit

27 nëntor 2020 | 10:40

Subjektet politike janë të ndara në qëndrime për pozitën e presidentit. Ndonëse ende nuk janë takuar për të diskutuar rreth kësaj çështje, në qëndrimet publike shihet se janë larg arritjes së një konsensusi për pozitën e të parit të shtetit.

Njohësit e rrethanave politike kanë bërë me dije se partitë politike duhet të heqin dorë nga interesat e ngushta partiake dhe ta shikojnë mundësinë e gjetjes së një figure konsensuale për këtë pozitë, por disa parti politike insistojnë ta kenë për vete këtë pozitë.

Analisti politik Behxhet Shala ka thënë për “Epokën e re” se subjektet politike duhet të ulen dhe ta arrijnë një marrëveshje për këtë çështje sa më shpejt.

“Realisht e kemi një situatë politike e cila kërkon zgjidhje. Sipas meje, partitë politike duhet të ulen dhe të bëjnë përpjekje për ta zgjedhur presidentin. Në qoftë se nuk arrijnë një marrëveshje procedurale për presidentin, atëherë partitë politike do të duhej të merren vesh për datën e zgjedhjeve të cilat do të duhej të mbaheshin jo më herët se në muajin qershor të vitit 2021”,  ka thënë Shala, duke shtuar se për shkak të situatës dhe të procedurave, është e pamundur të mbahen zgjedhjet para kësaj kohe.

“Në anën tjetër, e kemi një situatë ku disa parti politike janë të interesuara tia shkurtojnë mandatin ushtrueses së detyrës së presidentes, ndërsa disa të tjera janë të interesuara që Vjosa Osmani të qëndrojë në këtë pozitë. Unë mendoj se disa parti do të bëjnë përpjekje maksimale që ta gjejnë një kandidat për president në mënyrë që ta nxjerrin Vjosa Osmanin nga zyra e presidentit, të cilën në asnjë mënyrë nuk mund ta paramendojnë në atë zyrë qoftë edhe si ushtruese e detyrës së presidentit. Pra ata do të bëjnë përpjekje që ta zgjedhin presidentin e ri”, ka thënë ai.

Edhe analisti tjetër Shkëlzen Maliqi ka deklaruar për gazetën se partitë politike duhet të reflektojnë ndaj situatës dhe të heqin dorë nga interesat e ngushta. “Në kohën e pandemisë partitë politike po sillen në mënyrë krejtësisht të gabuar dhe pa koordinim substancial që diktohet nga interesi vital i mbrojtjes së shëndetit kombëtar dhe ekonomisë së shtetit dhe kështu po vazhdojnë edhe në raport me gjykimin në Hagë. Mirëpo besoj se situata do t’i kthjellë shpejt, sepse nuk ka më hapësirë manovruese për konfrontimet që në plan të parë nxjerrin interesat e partive, të grupeve dhe të liderëve të caktuar, e jo ato të përgjithshme”, ka thënë Maliqi.

Sipas tij, zgjedhjet janë të pashmangshme, por jo menjëherë. “Mendoj je zgjedhjet janë të pashmangshme, por jo menjëherë dhe jo as në pjesën e parë të vitit të ardhshëm, jo vetëm për shkak të pandemisë, por duhet edhe një lloj stabilizimi i brendshëm i raporteve. Koalicioni më i gjerë qeverisës do të mund të kontribuonte në këndellje, por me premtim që të mbahen zgjedhjet e reja pasi që të krijohen kushtet më të volitshme”, ka vlerësuar ai.

LDK-ja kërkon marrëveshje të gjerë për presidentin

Ditë më parë kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka paralajmëruar thirrjen e një takimi me liderët e partive politike për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Ai ka thënë se zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk janë

Mustafa ka thënë se javën që vjen do të takohen me partitë politike për të diskutuar edhe për këtë temë. “Nuk kemi biseduar për presidentin ende. Por, sipas nesh, çështja e presidentit duhet të zgjidhet sa më shpejt e jo të shkojmë në zgjedhje. Në fillim të dhjetorit do të mblidhemi me kryesinë për të biseduar për presidentin”, ka thënë Mustafa.

Deri më tash vetëm lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka shprehur hapur synimin për tu bërë president i vendit, por ai nuk është mbështetur nga LDK-ja dhe partnerët e tjerë të koalicionit qeverisës.

Përfaqësuesit e AAK-së kanë thënë në vazhdimësi se nëse kandidati i tyre nuk zgjedhet president atëherë do të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Edhe partitë opozitare, LV-ja dhe PDK-ja, ia kanë bërë me dije AAK-së se nuk kanë votë për Haradinajn për president. PDK-ja i ka shprehur ambiciet për këtë pozitë, duke lënë të kuptohet se vetëm duke marrë pozitën e shefit të shtetit mund të bëhet pjesë e koalicionit qeverisës.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Sejdi Hoxha, ka thënë se presidenti duhet të propozohet nga PDK-ja. “PDK-ja i mirëpret të gjitha kandidaturat e mundshme për president. Ne kemi një rrethanë që PDK-ja në zgjedhjet e fundit ka dalë me 24 deputetë dhe LDK-ja e LV-ja e ndërtuan qeverinë. Ata brenda tre muajve i kanë dhënë fund bashkëpunimit të tyre dhe tani kemi një qeveri të udhëhequr nga LDK-ja, AAK-ja dhe Nisma. Pikërisht që ne e ruajtëm konsistencën tonë politike, ishim në opozitë dhe po vazhdojmë të jemi në opozitë”, ka thënë Hoxha, duke shtuar se presidenca duhet t’i takojë pikërisht kësaj partie.

“Parimisht është shumë e përgjegjshme dhe e udhës që PDK-ja ta udhëheqë Presidencën dhe ta ketë presidentin, ka thënë ai. Kurse partia më e madhe në vend, LV-ja, ka bërë me dije se çështja e presidentit duhet të diskutohet vetëm pas zgjedhjeve të reja parlamentare.
Albulena Haxhiu nga Vetëvendosja ka thënë se nuk e kupton pse partive të tjera po iu ngutet në lidhje me presidentin, pasi Kosova ka Vjosa Osmanin si ushtruese e detyrës së shefes së shtetit. Çështja e president është duke u diskutuar më të madhe dhe pa nevojë. Kosova e ka tashmë ushtruesin e detyrës së presidentit. Vetëvendosja nuk e mbështet asnjë kandidat për president pa u mbajtur zgjedhjet e përgjithshme dhe pa pasur një udhëheqje të re”, ka thënë Haxhiu.

Kosovës i duhet një qeveri më e gjerë

Ish-ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë se vendit urgjentisht i duhet një qeveri e unitetit, në të cilën do të përfshiheshin partitë politike parlamentare.

Ajo ka thënë për gazetën “Epoka e re” se në momente strategjike për vendin ka ndodhur një lloj uniteti, ku Kosova ishte e fortë për realizimin e synimeve të veta.

“Kosova është në një gjendje shumë të rëndë në përgjithësi, në njërën anë për shkak të pandemisë dhe inicimi i proceseve nga Gjykata Speciale e ka rënduar këtë gjendje edhe më shumë. Kjo gjendje kërkon një mobilizim më të madh të institucioneve të shtetit tonë. E para për të siguruar një mbrojtje shtetërore sa më të mirë për ata që janë në gjykatë, në mënyrë që argumentimi të bëhet me një mbështetje sa më të madhe institucionale”, ka thënë Tahiri.

Sipas saj, një qeveri e tillë do të ishte e nevojshme edhe për procesin e dialogut me Serbinë. “Mendoj se fillimisht duhet të formohet një qeveri e unitetit dhe pastaj në një konsultë serioze ndërmjet të gjitha palëve, edhe me aleatët tanë, ShBA-në dhe Evropën, të vendoset në lidhje me ardhmërinë e këtij dialogu. Kosova duhet të jetë e zonja që tua bëjë të qartë partnerëve dhe miqve tanë ndërkombëtarë, se nëse Serbia nuk e ka ndërmend ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe e shfrytëzon këtë dialog për të treguar se gjoja është konstruktive për ta përparuar agjendën e vet evropiane, atëherë ky dialog po kthehet në një proces të dëmshëm për Kosovën. Këto çështje i takojnë Qeverisë së Kosovës me partnerët ndërkombëtarë para se të merren vendime çfarëdo qofshin në raport me dialogun”, është shprehur Tahiri.

Edhe analisti politik Shkëlzen Maliqi mendon se një qeveri më e gjerë është e nevojshme për dialogun me Serbinë. “Po kështu, një qeveri më e gjerë na duhet edhe për shkak të dialogut, të cilin nuk duhet ta lëshojmë me fajin tonë ose duke çuar inate. Kjo për arsye se ende ka një fije arsye të besohet se edhe BE-ja dëshiron që ta mbyllë dialogun me sukses dhe njohje të ndërsjellë. Duhet të jemi të kujdesshëm në kërkesat për ndërprerjen e dialogut, të paktën derisa nuk kemi një qeveri të re funksionale në ShBA”, ka thënë Maliqi.

Partnerët e koalicionit kanë edhe pesë muaj kohë për arritjen e pajtimit për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, pozitë kjo që u bë pjesë e kalkulimeve politike pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili dha dorëheqje më 5 nëntor.

(Muhamet Koci)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
BISLIM ELSHANI   KTHIMI I ASKUSHIT   Monstra te kufiri…