41 mijë armë me leje në duar të kosovarëve, 250 mijë pa leje

13 maj 2023 | 21:47

Edhe pse në tre vjetët e fundit ka rritje të numrit të armeve të regjistruara me leje megjithatë në duart e qytetarëve vazhdon të ketë shumë më shumë armë pa leje.

Këto armë, sipas Policisë kryesisht përdoren edhe në ahengje familjare.

Shkaktar për numrin e madh të armëve pa leje, sipas njohësve të fushës së sigurisë janë edhe dënimet e ulëta.

Kremta me armë, vazhdon të jetë fenomen në ahengjet familjare. Vetëm gjatë vitit 2022 Policia sekuestroi 156 armë të cilat u përdorën në raste të tilla.

Po ashtu gjatë atij viti në përgjithësi u sekuestruan 1400 sish. Megjithatë numri i armëve me leje në Kosovë, vazhdon të mbetet dukshëm më i ulët sesa i atyre pa leje.

Në vitin 2023 janë rreth 41,085 armë me leje. Në vitin 2022 janë rreth 37,450 ndërsa në vitin 2021 janë rreth 30,086. Sa i përket numrit të armëve pa leje sipas një hulumtimi të fundit të vitit 2015 kanë rezultuar rreth 250,000.

Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, dënimet e ulëta nga gjykatat ndikojnë që të mos ulet numri i armëve pa leje.

Posedimi i armëve në masë të madhe, vlerësohet rrezik i madh nga njohësit e sigurisë.

Leja e armës ka afat pesëvjeçar. Armët të cilat qytetarët i posedojnë më shumë me leje, janë ato të kategorisë B1: të shkurtra të zjarrit, gjysmë automatike./ATV

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka filluar finalja e madhe e garës së muzikës Eurovision…