5 fajtorët e dështimit të Argjentinës

22 qershor 2018 | 16:12

Argjentina e Botërorit “Rusi 2018” është paraqitur shumë dobët dhe ndodhet shumë pranë eliminimit që në fazën e grupeve.

Goleada që pësoi ndaj Kroacisë ishte konfirmimi i një projekti pa krye, një plani loje shumë të keq dhe një krize që nuk di të përfundojë për bardhekaltrit.

Tifozët, në kësi rastesh, kërkojnë që të gjejnë patjetër fajtorin e dështimit.

Leo Messi

Është fajtor sepse e konsiderojnë lojtarin më të mirë në botë, sepse e vendosin në të njëjtin nivel me Maradonën dhe duke qenë figura kryesore e skuadrës ka më shumë përgjegjësi se të tjerët. Ndaj Islandës gaboi në momentin më përcaktues të ndeshjes, duke mos shënuar dot 11-metërshin që mund t’i jepte fitoren ekipit. Ndaj Kroacisë u vërdallis në fushë, duke pasur shumë pak kontakt me topin. Më e keqja, duket se është dorëzuar i pari.

Willy Caballero

Gabimi trashanik ndaj Rebic ishte nisja e fundosjes për Argjentinën. Një gabim i pakuptueshëm në një ndeshje Botërori dhe në një moment delikat për ekipin. Shumë dyshonin për këtë portier dhe tashmë kanë gojë të flasin. Ndeshjen e fundit mund ta shikojë nga stoli.

Jorge Sampaoli

Kur skuadra humb, përgjegjësia bie mbi trajnerin në radhë të parë. Ndryshoi skuadrën për ndeshjen me Kroacinë, por në vend që t’i rregullonte, i përkeqësoi gjërat. Futi në formacion Enzo Perez, një lojtar që nuk e kishte marrë në listën e 23 të grumbulluarve, por që u fut në listë pas dëmtimit të Lanzinit. Preferoi lojtarë të fortë përpara atyre të talentuar si Dybala apo Pavon.

Enzo Perez

I ftuari surprizë në “funeralin” e Argjentinës hyri në formacion kur askush nuk e priste. Humbi një rast të pastër kur ndeshja ishte 0-0.

Sergio Aguero

Shënoi një gol spektakolar ndaj Islandës, por ndaj Kroacisë u paraqit shumë dobët. Më shumë i dha skuadrës Higuain në 5 minutat e para që hyri në lojë sesa Aguero gjatë gjithë ndeshjes.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Organizatat joqeveritare të udhëhequra nga gratë dhe gratë aktiviste, në…