50 vjet nga Kongresi i Drejtshkrimit të Shqipes (1972 – 2022)

25 nëntor 2022 | 19:29

(Historiku i shqipes standarde)

Hamdi Mazreku, Malishevë

Ndër ngjarjet më të rëndësishme mbarëshqiptare, pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878; Kongresit të Manastirit 1908; Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë 1912, pa dyshim është edhe Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës shqipe 1972.
Ç’është e vërteta, në vazhdën e shumë takimeve në frymën e 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit nga intanca të ndryshme në të gjitha nivelet në Shqipëri, në Kosovë e gjetiu, një vend meritor s’do mend se në shënimin e kësaj emnese zënë edhe shkollat tona. Ndryshe nga këndvështrimet e tjera, vura detyrë vetes që për nder të nxënësve, studentëve, mësimdhënësve dhe të të interesuarve tjerë të paraqes këtë kumtesë për të na pasuruar në mendje, shpirt e zemër për këtë ngrehinë kulturore gjithëshqiptare.
Shqipja standarde në këto 50 vjet ka pasur një rrugëtim të suksesshëm drejt kultivimit të saj. Formimi i gjuhës letrare kombëtare të njësuar (gjuha standarde), si variant më i përpunuar i gjuhës së popullit shqiptar, ka qenë një proces i gjatë, që ka filluar që në shek.XVI-XVIII, por përpunimi i saj hyri në një periudhë të re, në shekullin XIX gjatë Rilindjes Kombëtare.
Zatën, më 1824 Naum Veqilharxhi filloi punën për të krijuar alfabetin shqip duke botuar një “Ëvetar” (Abetare), më 1844. Ai ishte i pari që shprehu qëllimet e Rilindjes Kombëtare Shqiptare nëpërmjet parathënies së “Ëvetar-it” që kishte 4 fletë me 8 faqe dhe 33 shkronja.
Në programin e Rilindjes, mësimi dhe lëvrimi i gjuhës amtare, përpjekjet për pasurimin e saj dhe pastrimin nga fjalët e huaja dhe të panevojshme, zinin një vend qendror. S’do mend, gjatë kësaj periudhe, u zhvillua një veprimtari e gjerë letrare, kulturore dhe gjuhësore.
Në vitin 1879, u krijua “Shoqëria e të shtypurit shkronja shqip”, e cila i dha një shtysë të re kësaj veprimtarie. U hartuan gramatikat e para me synime normative dhe u bë hapi i parë për hartimin e një fjalori kombëtar të Gjuhës shqipe siç ishte “Fjalori i Gjuhës shqipe”, i Konstandin Kristoforidhit, i botuar (pas vdekjes së autorit) më 1904. Gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare, u përvijuan dy variante letrare të kombit shqiptar: varianti letrar jugor dhe varianti letrar verior. U bënë gjithashtu përpjekjet për afrimin e këtyre varianteve dhe për njësimin e gjuhës letrare. Detyrë e parë që duhej zgjidhur ishte njësimi i alfabetit. Deri atëherë, shqipja ishte shkruar në disa alfabete: alfabetin latin, alfabetin grek, alfabetin turko-arab dhe alfabete të tjera.
Prandaj në këtë vështrim do t’i përmendim të gjitha ato ndalesa të cilat shënuan ecjen historike – deri te Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në vitin 1972, si vijon:

– Më 1844 Naum Veqilharxhi filloi punën për të krijuar alfabetin shqip, i cili u botua në një “Ëvetar”, 8 faqe 33 shkronja, ishte i pari që shprehu qëllimet e Rilindjes Kombëtare Shqiptare;

– Më 1878, u krijua “Shoqëria e të shtypurit shkronja shqip”. U hartuan gramatikat e para dhe u bë hapi i parë për hartimin e një Fjalori kombëtar të Gjuhës shqipe, “Fjalori i Gjuhës Shqipe” i K. Kristofaridhit (1904);

– Gjatë Rilindjes Kombëtare u bënë përpjekje për afrimin e dy varianteve letrare në njësimin e gjuhës letrare. Detyrë e parë ishte njësimi i alfabetit, sepse deri atëherë shqipja shkruhej në disa alfabete: latin, grek, e turko-arab etj;

May be an image of 1 person and text

– “Kongresi i Manastirit” (14 – 22.XI.1908), vulosi alfabetin latin të plotësuar me nëntë digrame (dh, gj, ll, nj, rr, sh, th, xh, zh), dhe dy shkronja me shenja diakritike (ç, ë). Morën pjesë 50 delegatë, 30 ishin me të drejtë vote. Kryetar i Kongresit ishte Mithat Frashëri.

– “Komisia Letrare e Shkodrës” (1916), kjo Komisi gjuhëtarësh e shkrimtarësh për formimin e gjuhës letrare preferoi variantin letrar të mesëm (Elbasanishten);

– “Kongresi Arsimor i Lushnjës” (1920), propozoi: Elbasanishten si variant letrar, i cili më 1923 u miratua nga Qeveria që kjo gjuhë të zbatohet në arsim, administratë dhe në botime.

– Pas Luftës së Dytë Botërore, puna për njësimin e gjuhës standarde organizohet nga Instituti i Shkencave, u krijuan komisione të posaçme për hartimin e projekteve të drejtshkrimit siç ishin, më: 1948, 1951, 1953 e 1956. U organizuan dy konferenca shkencore në vitin 1952.

– “Konsulta e Parë Gjuhësore” (1952),
– “Konsulta e Dytë Gjuhësore” (1957), } Hartimi i projekteve të drejtshkrimit
– “Konsulta e Tretë Gjuhësore” ( 1964).

– Më 1967, u botua nga Insituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, projekti i ri: “Rregullat e drejtshkrimit të shqipes”. Ky projekt filloi të zbatohet në të gjithë hapësirën shqiptare.
– “Konsulta Gjuhësore e Prishtinës” (1968), e udhëhequr nga parimi: “Një komb – një gjuhë letrare”, vendosi që projekti i drejtshkrimit sapo të miratohej të merrte formën zyrtare në Republikën e Shqipërisë dhe të zbatohej edhe në Kosovë.

– “Kongresi i Drejtshkrimit të Shqipes” (20 – 25 nëntor 1972).
Morën pjesë delegatë nga të gjitha trevat shqiptare (studiues, shkrimtarë e profesorë nga 87 delegatë gjithsej, 11 ishin nga viset shqiptare të ish Jugosllavisë e 3 arbëresh). Kongresi zhvilloi punimet 5 ditore në 2 Seksione shkencore. Në këtë Kongres u miratua një Rezolutë dhe me këtë u vulos gjuha letrare kombëtare e njësuar.

* Gjuha letrare kombëtare e njësuar (Gjuha standarde), mbështetej kryesisht në variantin letrar të jugut, sidomos në sistemin fonetik, por në të janë integruar edhe elemente të variantit letrar të veriut. Pas Kongresit të Drejtshkrimit, janë botuar një varg veprash të rëndësishme, që kodifikojnë Gjuhën standarde shqipe, si: “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe” (1973); “Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe” (1976); “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe” (1980); “Fjalori i shqipes së sotme” (1984); “Gramatika e gjuhës së sotme shqipe I Morfologjia” (1995); “Gramatika e gjuhës së sotme II Sintaksa” (1997).

No description available.

Shtojcë:
• Gjuha standarde: quhet gjuha e njësuar, gjuha letrare kombëtare, gjuha e përbashkët kombëtare, gjuha zyrtare;
• Gjuha letrare: gjuha që përfshinë gjuhën e letërsisë artistike;
• Gjuha e letërsisë: gjuha që përdorin shkrimtarët dhe krijuesit në veprat e tyre artistike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari në detyrë i OVL-UÇK-së, Faton Klinaku  përmes një postimi…