66 vjet nga lindja e xhaxhait tim Kadri Zeka

25 prill 2019 | 14:59

– Janari i acartë me një dimër të vështirë

Shkruan: Izmi Zeka

Sot është ditë e veçantë. Një lindje që tani i përket historisë. Isha i ri kur ti vdiqe, kur plumbat breshëri ranë mbi ty. Ishte një natë e trishtueshme e 17 janarit të vitit 1982. Gjithçka tani më duket si ëndërr.
Isha në moshën të re kur ende dëgjoja për të bëmat e Bajram Currit, Azem Bejtës, Avni Rrustemit.
Një natë që tani nuk di ta përshkruaj. Shushurima në shtëpi. Sjellje të familjes andej e këndej. Ishte heshtje. E unë vetëm shikoja sikur i humbur dhe nuk e kisha mundësinë të dija se çfarë po ndodh në shtëpi. Pëshpëritjet dëgjoheshin pa ndalur. Ishte e diel ditë pushimi.
Gjyshi dhe gjyshja ime ende se kishin marr lajmin e dhimbshëm. Kadriu ishte vrarë bashkë me vëllezërit Gërvalla në Untergrupenbah të Shtutgardit në Gjermani. Asnjëri prej vëllezërve të Kadriut nuk donte ta besonte vdekjen e vëllait më të ri. Lëvizjet e njerëzve dhe të afërmve sa vinin e shtoheshin. Mbretëronte heshtje. Secili kishte dëgjuar në mënyrën e vet. Familja jonë tani përballej me një përvojë të re dhe dhimbje të papërballueshme.
Në shtëpi ishin Nuhi Berisha, Ahmet Isufi e shumë të tjerë. Goditja ishte e madhe sa që sot unë e kam të vështirë ta përshkruaj momentin e lajmit për vrasjen e axhës diku larg familjes.

Gjyshi im Pajaziti ose siç e quanin Zit Policka kishte diçka te veçantë nga tradita shqiptare. Ai nuk jepej edhe pse mund te kuptohej që shpirti i përvëlonte. Kurse gjyshja fliste butë dhe thjeshtë. Ajo thoshte “Nëse është vrarë si burrat nëna asnjë pikë loti se qet”. Kështu dhe ndodhi.
A gjyshit tim kurrë nuk ia pash lotin. Ndoshta edhe jeta e rënda e kishte mësuar të bëhej i fortë.
Vëllezërit e Kadriut, Shaipi (babi im) Xhela dhe Taipi silleshin në dhomë dhe nuk flisnin fare.

Kadriu ishte sugari i familjes i përkëdheluri i shtëpisë. Kishin ikur katër vite pa e parë familja jonë.
Ajo kohë ishte e vështirë.
Sorollateshin afër shtëpive tona njerëzit e UDB-së.
Në këto momente të vështira për familjen vinin miqtë e familjes dhe të afërmit tonë për të na dhënë kurajo për rënien e Kadriut.
Vrasja në Shtutgard dhe largësia prej Kosove e bënte edhe më të vështirë rënien e tij për ne. Fjalët ishin të ndryshme rreth vrasjes. Presioni i UDB-së ishte i madh. Por ne, gjithnjë po flas për familjen ishim të përgatitur sepse vetë rruga e nisur ishte me sfida.
Kujtojmë, ishte viti 1982, janari i acartë me një dimër të vështirë.
Edhe më e rëndë ishte se pikërisht tre muaj më parë Selim Brosha një krye UDB-ash babait tim i kishte thënë “nëse nuk e sillni Kadri Zekën në shtëpi ne do ta vrasim”. Ishte paralajmërim i një furtune për familjen tonë.
Sot kur e kujtoj atë ditë janari të ftoftë trupi më rrëqethet. Ishte një rënie që familjes sonë i dha forcë dhe pathyeshmëri në rrugën e më pastajme. Loti nuk shihej në familje.

Kadriu u varros së bashku me vëllezërit Gërvalla në Untergrupenbah Të Gjermanisë.
Nuhiu Berisha ishte pjesë e familjes sonë. Gjyshen tonë e kishte hallë. Ai në një moment kishte thënë se “Unë do të nxjerr hakun e Kadriut”
Ajo natë e janarit të 17 e mbrëmjes së vonë ndryshoi shumëçka si tek ne ashtu edhe te qenia shqiptare.
Sot më duket si ëndërr. Ikën vite të shumta dhe dhimbja ndërlidhet me idealin dhe shtetin e Kosovës.
Më dalin para syve gjyshi e gjyshja që tani nuk janë më. Burrëria e gjyshit dhe qëndresa e gjyshes tani më duken sikur në balada apo këngët kreshnike.
17 janari ishte i trishtë i dhimbjes së madhe na ktheu tek heronjtë.
Unë si fëmijë u rrita me dijen xhaxhait dhe rrugën e nisur pa pasur dilema.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur n kullën e…