700 ushtarakë francezë konfirmohen me COVID
Rreth 700 pjesëtarë të ekuipazhit të flotës ushtarake franceze janë diagnostikuar me simptoma të koronavirusit të ri, ndërsa mbi 1 300 të tjerë janë vendosur në karantinë pas një misioni të NATO-s.
Koronavirusi i ri raportohet se ka infektuar rreth një të tretën e pjesëtarëve të ekuipazhit të tri anijeve të forcave të armatosura franceze.
Ministria e Mbrojtjes e Francës njoftoi të mërkurën se në aeroplanmbajtësen “Sharl Dë-Gol” gati 700 marinarë kanë rezultuar pozitivë me Covid-19.
Dhjetëra të diagnostikuar po marrin trajtim në spital, ndërsa të paktën një person është shtruar në repartin e reanimacionit.
Infeksioni është përhapur edhe në ekuipazhin e dy anijeve shoqëruese që lundronin bashkë prej 21 janarit në vazhdën e operacioneve kundër ISIS-it.
Mjetet lundruese ishin pjesë e flotave të ndryshme të Evropës Veriore për të mbikëqyrur Detin Balltik, por veprimet e tyre u ndërprenë kur pjesëtarë të ekuipazhit po shfaqnin simptoma të koronavirusit.
Franca është një nga pesë vendet më të prekura në botë nga koronavirusi, pas SHBA-së, Spanjës, Italisë dhe Gjermanisë.
Vendi ka vendosur shtyrjen deri më 11 maj të masave të izolimit social, ndërsa numri i të infektuarve ka kaluar 100 mijë dhe mbi 17 mijë të tjerë kanë mbetur viktima të sëmundjes.
Bilanci u rëndua veçanërisht të mërkurën me mbi 1,400 vdekje të reja pasi autoritetet raportuan edhe shifrat e institucioneve për të moshuarit tri ditë pas pushimeve për Pashkët.
Pandemia në Francë mbetet aktive dhe qytetarët janë apeluar të respektojnë masat e ndalimlëvizjes. /Ora News.tv/



