Azem Syla viziton Thaçin dhe Veselin në Hagë: Qëndrueshmëri morale dhe besim në triumfin e së vërtetës

17 prill 2025 | 19:10

Me datat 16 dhe 17 prill, Azem Syla, ish-komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, zhvilloi një vizitë pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, ku takoi dy nga bashkëluftëtarët e tij më të afërt, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.

Vizita, e realizuar pas miratimit të autoriteteve gjyqësore, kishte për synim përfshirjen edhe të ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, por kërkesa për t’i takuar ata nuk u aprovua.

Pas takimeve, Azem Syla deklaroi se Thaçi dhe Veseli paraqiten në gjendje të mirë shëndetësore dhe të pathyeshëm në qëndrimin e tyre moral dhe politik.

Sipas Sylës, figura e tyre mbetet e pandryshuar – të qëndrueshëm, të përkushtuar ndaj idealeve të lirisë dhe të paepur në mbrojtje të legjitimitetit të luftës çlirimtare.

Ata, siç thekson ai, shfaqin një dimension të thellë të karakterit shtetformues dhe vizionit për të ardhmen e Kosovës, duke mos e vënë në plan të parë fatin e tyre personal, por atë të Republikës që kontribuan për ta themeluar.

Syla e përshkroi qëndrimin e tyre si një akt burrëror dhe sublim, të ngjashëm me qëndrimet historike të figurave që kanë shënuar faza të rëndësishme të rezistencës kombëtare, duke e cilësuar këtë sjellje si frymëzuese dhe model për brezat e ardhshëm.

Ai ritheksoi bindjen e tij të palëkundur se drejtësia do të ngadhënjejë dhe se “bijtë më të devotshëm të kombit” do të rikthehen faqebardhë për të vazhduar kontributin e tyre në ndërtimin e shtetit të Kosovës.

Ky qëndrim vjen në një kohë kur proceset ndaj ish-krerëve të UÇK-së vazhdojnë të jenë subjekt i vëmendjes politike, juridike dhe publike, duke rikthyer në qendër të debatit çështjen e legjitimitetit historik dhe etik të luftës për liri në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka deklaruar se qytetarët…