Final 4 i zjarrtë në basketboll

18 prill 2025 | 12:05

Pas ndeshjeve emocionuese dhe dramatike të çerekfinaleve, është koha për gjysmëfinalet e “play-off”-it të ProCredit Superligës. Gjysmëfinale të zjarrta që premtojnë spektakël të basketboll në parket dhe tribuna.

Katërshja e madhe e basketbollit të Kosovës, Bashkimi, Trepça, Sigal Prishtina dhe Peja, duan të kualifikohen në finale, por edhe të fitojnë trofeun më të rëndësishëm në basketbollin e Kosovës. Në gjysmëfinalen e parë ndeshen kampionia aktuale, Trepça me skuadrën më të trofeshme në vend, Sigal Prishtinën. Mitrovicasit përfunduan garat e rregullta në pozitën e dytë, me 19 fitore e nëntë humbje, derisa prishtinasit në pozitën e tretë me 17 fitore e 11 humbje, kurse në çerekfinale eliminuan Vëllaznimin pas tri ndeshjeve. Në katër sfidat e zhvilluara në elitë këtë edicion, bardhekaltrit kanë tri fitore ndaj mitrovicasve që kanë një fitore ndaj prishtinasve.

Këto dy skuadra u përballën edhe në gjysmëfinale të Kupës, ku “Xehetarët” ishin më të mirë nga dy takimet për të kualifikuar në finale, e ku më pas fituan këtë trofe, ashtu si e kanë fituar edhe Superkupën. Bashkimi-Peja është një tjetër përballje e zjarrtë e gjysmëfinaleve të “play-off”-it. Prizrenasit përfunduan në pozitën e parë me 20 fitore e tetë humbje, ndërsa pejanët në vendin e pestë me 14 fitore e 14 humbje, kurse në çerekfinale eliminuan Golden Eagle Yllin pas tri ndeshjeve.

Portokallezinjtë duan titullin e dytë në histori, pasi të parin dhe të vetmin e fituan më 2018, kurse Verdhezinjtë të shtatin në histori, ndërsa herën e fundit e fituan më 2023. Në katër duelet e zhvilluara këtë edicion në elitë, prizrenasit kanë tri fitore ndaj pejanëve që kanë një fitore.

Orari

Të shtunën takohen:
19:00 Trepça – Sigal Prishtina

Të dielën takohen:
19:00 Bashkimi – Peja

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në pak më shumë se një vit, Lionel Messi mund…