Elena Sadiku, trajnerja me prejardhje nga Kosova, në garë për çmimin “Topi i Artë”

23 tetor 2026 | 16:01

Elena Sadiku, 32-vjeçarja me prejardhje nga Kosova, ka hyrë në histori duke u bërë trajnerja më e re e nominuar ndonjëherë për çmimin “Trajneri i Vitit” në ceremoninë prestigjioze të “Topit të Artë” (Ballon d’Or).

Trajnerja e skuadrës suedeze BK Häcken është nominuar pas suksesit historik me klubin, të cilin e ka udhëhequr drejt fitimit të trofeut të parë në edicionin inaugurues të UEFA Women’s Europa Cup. Ky ishte trofeu i parë evropian në historinë e klubit, të themeluar në vitin 1970.

Sadiku e ka marrë lajmin për nominimin krejt papritur, në korridorin e klubit, kur njëra nga ndihmëset e saj i ka treguar ekranin e telefonit. Fillimisht, ajo nuk e ka kuptuar rëndësinë e lajmit, derisa ka vërejtur logon e “Topit të Artë”.

Suksesi i saj vjen pas një rrugëtimi të jashtëzakonshëm, të shënuar nga sfida personale, probleme të rënda shëndetësore dhe një karrierë futbollistike që ka përfunduar para kohe.

Në moshën 19-vjeçare, Sadiku ka pësuar këputjen e parë të ligamentit të kryqëzuar të gjurit, duke nisur një periudhë të vështirë mjekësore. Ajo i është nënshtruar gjithsej 13 operacioneve në gjurin e majtë, ndërsa një infeksion i rëndë pas ndërhyrjes së tretë ka bërë që mjekët të shqyrtonin edhe mundësinë e amputimit të këmbës për t’i shpëtuar jetën.

Fatmirësisht, këmba e saj është shpëtuar, por karriera si futbolliste ka përfunduar në moshën 24-vjeçare. Vetëm katër muaj më vonë, klubi Hammarby i ka ofruar mundësinë të krijonte një akademi futbolli për vajza, duke i hapur rrugën drejt karrierës si trajnere.

Ajo ka punuar në disa vende, përfshirë Kinën, Danimarkën dhe Skocinë, ku e ka udhëhequr Celticun drejt titullit të parë historik kampion. Më pas, suksesin e ka vazhduar te BK Häcken, me të cilin ka arritur triumfin evropian.

Sadiku është e vetmja grua në mesin e kandidatëve për çmimin “Trajneri i Vitit”, krahas emrave si Jonatan Giráldez, Andrée Jeglertz, Nils Nielsen dhe Pere Romeu.

Përtej arritjeve sportive, trajnerja ka folur edhe për nevojën e mbështetjes institucionale për gratë në futboll, veçanërisht për të drejtat që lidhen me pushimin e lehonisë dhe mundësinë për t’u rikthyer në punë pas lindjes.

Historia e saj nis me shpërnguljet e familjes për shkak të luftërave në ish-Jugosllavi. Prindërit e saj janë larguar nga Kosova në fillim të viteve ’90 dhe janë vendosur në Gjermani, ku Elena ka lindur. Familja është kthyer më vonë në Kosovë, por lufta i ka detyruar të shpërnguleshin sërish, këtë herë drejt Suedisë.

Atje, në oborrin e shtëpisë, ajo ka nisur të luajë futboll me babanë dhe vëllain. Sot, pas një karriere të ndërprerë nga lëndimet e rënda, Sadiku po dëshmon se pengesat nuk e kanë ndalur ëndrrën e saj për të arritur majat e futbollit evropian.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Para ceremonisë “Topi i Artë”, që mbahet të hënën në…