Dumoshi i reagon MKRS-së për sheshin ‘‘Xhorxh Bush’’: S’keni proceduar sipas ligjit, Rama e shpërndan postimin
Vlora Dumoshi, ish-deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, i ka reaguar Ministrisë së Kulturës, pasi kjo e fundit, siç ka thënë Dumoshi, po ‘’abuzon’’ me emrin e ish-deputetes rreth çështjes së punimeve që po bëhen në sheshin ‘’Xhorxh Bush’’ në Prishtinë.
Dumoshi në reagimin e saj, ka shkruar se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nuk e ka proceduar këtë çështje ashtu siç e kërkon Ligji, duke mos e përcaktuar perimetrin e zonës mbrojtëse për asete, dhe ka kërkuar nga MKRS që të ‘‘mos e dezinformojë opinionin publik’’.
Ish-deputetja, ka deklaruar se sa kishte qenë ministre e MKRS-së ishte angazhuar që Qendrës Historike të Prishtinës, t’i ‘’jepet statusi që i takon’’, duke i shtuar kësisoj në vitin 2020 listës së trashëgimisë nën mbrojtje të përkohshme asete të reja ku Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prishtinë ka propozuar për Mbrojtje “Qendrën Historike të Prishtinës”, e që është aset i trashëgimisë kulturore.
Megjithatë, Dumoshi ka shtuar se Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prishtinë nuk e ka kryer detyrën e vet, dhe se objektet e trashëgimisë kulturore të përfshira në Listën e trashëgimisë, regjistrohen nё Agjencionin kadastral dhe gjeodet tё Kosovës.
“Ditëve të fundit Ministria e Kulturës po abuzon me emrin tim në rastin e ndalimit të punimeve në Komunën e Prishtinës. Për hirë të së vërtetës po e informoj opinionin publik se sa isha drejtoreshë e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport të Komunës së Prishtinës nga viti 2010 deri në vitin 2013, kjo drejtori për herë të parë ka ndërmarrë një sërë masash e veprimesh për të përfshirë në dokumentet strategjike komunale identitetin kulturor të kryeqytetit- Qendrën Historike të Prishtinës me asetet me rëndësi si Kullën e Sahatit, Hamamin e Prishtinës, Xhaminë e Çarshisë, si aset me rëndësi, dhe të investojë në këto asete. Njëkohësisht është vepruar në ruajtjen dhe mbrojtjen e tyre përmes dokumenteve komunale siç është PLANI ZHVILLIMOR KOMUNAL I PRISHTINËS 2012-2022”, ka shkruar Dumoshi në “Facebook”.



