Bajrami: Tregoni Muratit që qarkullimi i bizneseve rritet nga rritja e çmimeve

02 gusht 2025 | 12:20

Ministri në detyrë i financave, Hekuran Murati, dhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami janë përplasur në distancë lidhur me qarkullimin e bizneseve dhe rritjen e çmimeve. 

Murati në një status në “Facebook”, ka shkruar se qarkullimi i bizneseve për 6 muajt e parë të vitit 2025 ka shënuar rekord prej 10.7 miliardë eurove. 

Kjo sipas tij, paraqet një rritje prej 10.3% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kur kjo shifër ka thënë se ishte 9.7 miliardë euro. 

Për këtë Murati ia ka lënë meritat qeverisë

Postomi i Muratit:

Qarkullimi i bizneseve për 6 muajt e parë të vitit 2025 ka shënuar rekord prej 💶 10.7 miliardë eurove.

Kjo paraqet një rritje prej 📈10.3% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kur kjo shifër ishte 9.7 miliardë euro.

Si Qeveri jemi përkujdesur që të rrisim mbështetjen për bizneset duke:

– Përmirësuar qasjen në financa përmes rritjes së kapitalit në Fondin për Garanci Kreditore

– Subvencionuar punësimin e të rinjve përmes Superpuna

– Subvencionuar kreditë investive

– Rritur mbështetjen për sektorin e bujqësisë

– Rritur fuqinë blerëse të familjeve përmes rritjes së pagave, pensioneve, e shtesave për fëmijë

– Paguar me kohë dhe pa vonesa faturat e detyrime ndaj bizneseve.

Këto shifra zyrtare janë dëshmia më e mirë që demanton pretendimet e pavërteta të cilat shpesh na bjen t’i dëgjojmë nga disa portale e studio televizive.

Lidhur më ketë postim të Muratit, ka reaguar Bajrami duke thënë se në rritjen e qarkullimit të bizneseve ka ndikuar rritja e çmimeve. 

“Tregoni ekonomistit – interpretues të kushtetutës se rritja e çmimit ndikon në rritjen e qarkullimit, për shkak se për artikujt e domosdoshëm kërkesa është joelastike. Nëse ai nuk pajtohet me këtë, le të na tregojë se qarkullimi i cilave kompani është rritur më së shumti gjatë mandatit të tyre. Ju tregoj unë: qarkullimi i kompanive që merren me tregtinë e energjisë. Dhe për këtë, meritat i takojnë Hekuranit me shokë, se këmbë e kokë janë të përfshirë”, ka shkruar Bajrami, duke thënë se është gati që të përballet me Muratin lidhur me këto “fakte dhe koncepte”.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Dje gjatë ditës në Prishtinë ka ndodhur një aksident i…