Deficiti tregtar prej 16,2% në muajin korrik
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin korrik 2025.
Të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar prej 16,2% në muajin korrik 2025, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2024, gjegjësisht në vlerë prej 576,4 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 495,9 milionë euro në vitin 2024. Eksporti mbulon importin me 12,7%.
Eksporti i mallrave në muajin korrik 2025 kishte vlerën 83,8 milionë euro, ndërsa importi 660,2 milionë euro, që është një rënie prej (-2,4%) për eksport, si dhe një rritje prej 13,5% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 21,7% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 14,2% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, 12,5% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 8,5% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; pijet dhe duhani; 7,4% e përbëjnë produktet minerale, etj.
Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore të importit: 13,1% e përbëjnë produktet minerale; 13,1% e përbëjnë mjetet e transportit; 13,0% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 12,0% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 8,8% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; etj.
Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së
Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 28,8 milionë euro, ose rreth 34,3% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 8,9%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (10,5%), Holanda (3,8%), Italia (3,5), etj. Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 283,1 milion euro, ose 42,9% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 4,5%. Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (14,1%), Italia (4,8%), Polonia (3,8%), etj.
Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s
Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 39,5 milionë euro, ose 47,1% të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-12,4%). Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (18,0%), Maqedonia e Veriut (14,7%), Serbia (7,2%), Mali i Zi (5,3%),
Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 79,6 milionë euro, ose 12,1% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 19,4%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia e Veriut (4,2%), Shqipëria (3,7%), Serbia (3,1%).
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 15,6 milionë euro, ose 18,6%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: Zvicra (8,3%) dhe Turqia (2,4%). Importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 297,5 milionë euro, ose 45,1%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Kina (14,5%) dhe Turqia (12,7%).



