BDI: A po bëhet Maqedonia “Republika e tretë serbe”?

10 shtator 2025 | 10:17

Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësim të thellë dhe alarmon opinionin publik se Maqedonia e Veriut po përballet me një ofensivë të hapur të projektit famëkeq të “Botës Serbe”.

“Ky projekt po manifestohet gjithnjë e më shpesh në mënyrë zyrtare, me praninë dhe, fatkeqësisht, me bekimin e përfaqësuesve shtetërorë të vendit tonë”.

“Pas festimeve në Manastir, ku delegacioni i lartë i Serbisë, bashkë me ministra dhe zyrtarë të Qeverisë sonë, nën petkun e “Frontit të Selanikut” kremtuan pushtimin serb të territoreve tona, më 7 shtator 2025 në Kajmakçalan dëgjuam edhe një deklaratë skandaloze të ministrit serb të Mbrojtjes, Bratislav Gashiç, i cili foli për “rrugën e lirisë” dhe “kthimin në atdhe” të ushtrisë serbe në tokën e Maqedonisë”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Sipas BDI-së, pjesëmarrja e institucioneve tona në këto skenarë është jo vetëm provokim i rëndë historik dhe politik, por edhe përpjekje për të relativizuar sovranitetin e shtetit tonë, duke e paraqitur Maqedoninë e Veriut si “Republika e tretë serbe”.

“Kjo është e papranueshme. Është kërcënim direkt ndaj identitetit, stabilitetit shtetëror dhe orientimit euroatlantik të vendit”.

“BDI thekson qartë: projekti i “Botës Serbe” është armiqësor për Maqedoninë e Veriut. Marrëveshja e Ohrit, kohezioni multietnik dhe rruga jonë e pakthyeshme drejt Bashkimit Evropian janë garancia jonë e vetme për një të ardhme të sigurt. Çdo tentativë për t’i minuar këto vlera do të hasë në kundërshtimin tonë të vendosur, pa kompromis. Maqedonia e Veriut nuk është, dhe kurrë nuk do të bëhet “Republika e tretë serbe”!”, thuhet ndër të tjera në reagimin e BDI-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mesfushori Elvis Rexhbeqaj e shënoi golin e parë me fanellën…