“E pabesueshme se si një presidente përdor kushtet e vështira të një shkolle për të ndërtuar një rrëfim për ‘sakrificën’ e saj”

11 shtator 2025 | 15:02

Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se është e pabesueshme që presidentja përdor kushtet e vështira të një shkollë për “të ndërtuar një rrëfim për ‘sakrificën’ e saj”, për t’u distancuar nga përgjegjësia për arsimin publik dhe për t’i sulmuar mediat dhe gazetarët.

“Është e pabesueshme se si një Presidente përdor kushtet e vështira të një shkolle për të ndërtuar një rrëfim për ‘sakrificën’ e saj për t’u distancuar nga përgjegjësia për arsimin publik dhe për të sulmuar mediat e gazetarët. Tri probleme serioze të përmbledhura në një sulm publik! Si ish-drejtoreshë e Arsimit në Prishtinë, ndjeva obligim të reagoj ndaj keqpërdorimit të emrit të një shkolle me nam të kryeqytetit, që ka formësuar fëmijë, të cilët sot janë personalitete të shquara”, ka shkruar ajo në “Facebook”.

Lushaku-Sadriu, që ka qenë drejtoreshë e arsimit në Prishtinë, ka thënë se shkolla “Ismail Qemali”  ka 3 mijë nxënës dhe është ndërtesë e vjetër. Ajo ka shtuar se nxënësit e kësaj shkolle, vitin tjetër do të kenë shkollë të re dhe moderne.

“Shkolla ‘Ismail Qemali’, me afro 3000 nxënës, është ndërtesë e vjetër, për të cilën tashmë është siguruar fondi për renovimin e tërësishëm vitin që vjen. Deri atëherë, komuna ka ofruar tabela digjitale, kurikulë digjitale dhe kushte, për aq sa e lejojnë mundësitë buxhetore. Nga viti tjetër, fëmijët e ‘Ismail Qemalit’ do të kenë shkollë të re dhe moderne. Se, nxënësit e kësaj shkolle e meritojnë, tregojnë rezultatet e jashtëzakonshme që ata i arrijnë në gara”, ka shkruar Lushaku-Sadriu

Ajo ka thënë se Osmani dhe “partitë e saj satelite në pushtet” për pesë vite e kanë injoruar arsimin, shkollat, fëmijët, prindërit dhe mësuesit.

“Por le ta kujtojmë se për pesë vite, Presidentja dhe partitë e saj satelite në pushtet e kanë injoruar arsimin, shkollat, fëmijët, prindërit dhe mësuesit! Mësimdhënësit janë lënë të vetëm, pa rritje të mjaftueshme pagash, pa kushte minimale pune; nxënësit pa kushte elementare mësimi, prindërit me kosto të larta për qëndrimet jashtë orarit, të cilat shkollat nuk kanë kapacitete t’i ofrojnë. Sot në Kosovë, 73% e paraleleve dhe 33% e shkollave nuk kanë kapacitete minimale për mësim normal. Komunat arrijnë të mbulojnë kostot minimale, derisa Ministrisë së Arsimit i mbetet buxheti i pashfrytëzuar si mungesë vizioni!”, ka shkruar deputetja e LDK-së.

Lushaku- Sadriu e ka pyetur presidentes se pse nuk ka ndërmarrë ndonjë hap për t’i mbrojtur fëmijët në shkolla.

Ajo ka shtuar se Kosova ka nevojë për lidership vizionar, që jep zgjidhje për arsimin, që hap dyer për investime, integrim në NATO e BE, por jo për viktimizime personale, popullizëm dhe e sulme ndaj lirisë së shprehjes.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nuk ka qenë një nisje e mirë e kampanjës kualifikuese…