Presidenti i UEFA-s flet për futbollin shqiptar dhe për organizimin e Evropianit me Serbinë

15 shtator 2025 | 15:33

Shqipëria ka organizuar javën e kaluar një ngjarje historike për vendin dhe futbollin, mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Nën drejtimin e presidentit Aleksandër Ceferin, KE-së dhe UEFA-s janë marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen e futbollit evropian.

Në një intervistë për “FShF TV”, presidenti Ceferin ka shpjeguar arsyen se pse Tirana është zgjedhur si mikpritëse e kësaj mbledhjeje të nivelit të lartë, ndërsa ka folur edhe për bashkë-organizimin e Evropianit U-21 2027 mes FShF-së dhe Federatës së Serbisë.

Ceferin ka vlerësuar punën e Federatën Shqiptare të Futbollit (FShF) ndër vite, ndërsa ka treguar edhe mënyrën se si UEFA ndihmon federatat e vogla dhe nëse Shqipëria do të mirëpresë sërish në të ardhmen një tjetër kompeticion madhor evropian.

President, kjo nuk është hera juaj e parë në Tiranë. Cili është impresioni i vizitës suaj këtu?
Ceferin: Kam qenë shumë herë në Tiranë, kam vizituar Federatën dhe mikun tim Armand. Është gjithmonë kënaqësi të vij këtu, i shoh ndryshimet në qytet, në infrastrukturë dhe çdo gjë tjetër, që nga vizita ime e parë në 2016 apo pak më herët. Që atëherë, shumë gjëra kanë ndryshuar.

Mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s është një ngjarje historike për futbollin shqiptar. Pse zgjodhët Tiranën për këtë event?
Ceferin: Prej 3-4 vitesh, në shtator ne shkojmë në një vend të ri dhe mendojmë se Tirana është një vend fantastik për të ardhur, e dinim që organizimi do të ishte i mirë. Ishte një zgjedhje e lehtë për t’u bërë.

Shqipëria do jetë bashkë-organizatore me Serbinë për Kampionatin Evropian U21 në 2027-n. Është një event që është kontestuar shumë në rajon. Çfarë opinioni keni për këtë?
Ceferin: Në këtë rajon, pothuajse çdo gjë kontestohet. Mendimi im është që futbolli është përtej politikës. Futbolli duhet të sjellë miqësi, paqe dhe jo dhunë e përdorim politik. Çfarëdo që të bësh, sidomos në diçka si futbolli, kontestohet nga dikush. Më e rëndësishmja është që të shohësh veten në pasqyrë dhe të thuash që ishte gjëja e duhur. Po ndjekim çdo gjë bashkë, së bashku me Armandin dhe Federatën, gjithashtu dhe me Federatën serbe dhe jam i sigurt që gjithçka do të shkojë shkëlqyeshëm. Do të tregojmë që futbolli është mbi politikën e përditshme.

Gjatë drejtimit tuaj kanë qenë shumë projekte në mbështetje të federatave anëtare, po a është ky suport i balancuar mes vendeve të vogla dhe të mëdha?
Ceferin: Ka qenë mese i balancuar do thoja. Nëse bën një krahasim se sa sjellin vendet e mëdha, ata nuk përfitojnë aq sa sjellin, ndërkohë vendet e vogla marrin pak më shumë sesa sjellin. Por kjo është e drejtë, sepse ky është futbolli dhe ne jemi trupi drejtues dhe duhet të zhvillojmë futbollin. Nuk duhet të harrojmë se vendet e mëdha, pa lojtarët nga Shqipëria, Sllovenia apo Kroacia, nuk do të ishin aq të forta sa janë. Ndaj, duhet të zhvillosh futbollin kudo që të kesh futboll të fortë edhe në vendet e mëdha.

Sa efiçente ka qenë FSgF në UEFA?
Ceferin: Super efiçente. Ju siguroj që nuk do të kisha Armand Dukën si zëvendëspresident i UEFA-s, nëse FShF-ja nuk do të bënte një punë të përkryer.

Si mund ta ndihmojë UEFA në të ardhmen kampionatin shqiptar?

Ceferin: Të ndihmosh konkretisht kampionatin është e pamundur, pasi nuk mund të ndërhyjmë te kampionatet. Por besoj që kemi ndihmuar me Conference League, kompeticionin e ri, ku fituesi i një kampionati të vogël, jo vetëm që mund të marrë pjesë, por edhe të ketë rezultate të mira, siç shumë kampionate të vegjël e kanë treguar.

Kanë qenë shumë evente në Shqipëri në vitet e shkuara, si finalja e Conference League në vitin 2022, Kampionati Evropian U17 sezonin e kaluar, edhe Mbledhja e Komitetit Ekzekutiv. A presim më shumë në të ardhmen? Si për shembull një Kampionat Europian në 2036-n me vende të tjera në rajon?
Ceferin: Je i shpejtë! Secili shtet nga 55 vendet anëtare më pyet “A do të mirëpresim më shumë kompeticione?”. Le të shohim, për momentin nuk mund t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Por stadiumi kombëtar është i mirë, për pjesën tjetër duhet të punoni edhe pak.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Gjilanit, po vazhdon me trajnimet e mësimdhënësëve gjatë…