Më 29 tetor në Apel shqyrtohet ankesa e Naim Murselit, ankesë ka paraqitur edhe familja e Liridona Ademajt

12 tetor 2026 | 15:39

Më 29 tetor, në orën 09:50, është caktuar të mbahet seanca në Gjykatën e Apelit, ku do të shqyrtohet ankesa e Naim Murselit, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj.

Ankesa prej 30 faqesh, e dorëzuar nga dy avokatët e Murselit, kërkon prishjen e aktgjykimit ose shqiptimin e një dënimi më të butë.

Në ankesë, mbrojtja pretendon se gjykata e shkallës së parë i ka vlerësuar provat në mënyrë të njëanshme dhe selektive. Po ashtu, janë ngritur pretendime lidhur me mënyrën se si policia e ka marrë në pyetje Murselin.

Avokatët pretendojnë gjithashtu se gjykata nuk i ka marrë parasysh disa nga propozimet e mbrojtjes, përfshirë rikonstruktimin e vendit të ngjarjes dhe ekzaminimin e rrobave të Murselit.

Ankesë në Gjykatën e Apelit ka paraqitur edhe Leotrim Syla, avokati i familjes së të ndjerës Liridona Ademaj.

Ai i ka kërkuar Kolegjit të Apelit që, krahas Naim Murselit dhe Granit Plavës, me burgim të përjetshëm të dënohet edhe Kushtrim Kokalla.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Është publikuar kënga më e re e Diell Durmishit, me…