Sveçla: Armatimi i sotëm u gjet në pronën e ‘Gandit’, i dyshuari kryesor për vrasjen e Afrim Bunjakut

18 shtator 2025 | 16:41

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Xhelal Sveçla, ka bërë me dije se sasia e armatimit të gjetur të enjten në Mitrovicë të Veriut i përket Nemanja Radivojeviq “të dyshuarit kryesor për shpërthimin e bombës që mori jetën e heroit të kombit, rreshterit Afrim Bunjaku, më 24 shtator 2023 në Banjskë”.

Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, Sveçla ka theksuar se për aq kohë sa Serbia refuzon t’i dorëzojë këta persona, ata mbeten një rrezik i drejtpërdrejtë për Kosovën.

Sipas tij, pajisjet e gjetura janë dëshmi të qarta se ky grup kriminal, i dirigjuar nga Serbia, ka bërë përgatitje të gjata dhe nuk ka hequr dorë kurrë nga përpjekjet për të cenuar rendin juridik e kushtetues të Republikës së Kosovës.

“Por shteti ynë, institucionet tona të sigurisë, janë më të shtrira e më të forta se kurrë në këtë pjesë të vendit dhe nuk do të tolerojnë as edhe një grimcë të këtyre elementeve kriminale e terroriste të cenojnë Kosovën”, ka shkruar Sveçla.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i degës së PDK-së në Gjakovë, Hajdar Beqa i…