AAK në Junik akuzon kryetarin Ruzhdi Shehu për shkelje ligjore dhe pengim të fushatës zgjedhore

18 shtator 2025 | 21:26

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dega në Junik, ka ngritur akuza serioze ndaj kryetarit aktual të komunës, Ruzhdi Shehu, dhe djalit të tij Visar Shehu, drejtor i Prokurimit Publik në Komunën e Prishtinës, për shkelje të rënda ligjore dhe pengim të fushatës së AAK-së.

Sipas njoftimit, kompania “Selmans Network”, e kontraktuar për vendosjen e materialeve zgjedhore, është kërcënuar me rrëzim të billbordëve nëse bashkëpunon me AAK-në, ndërsa është paralajmëruar edhe ndërprerja e kontratave të saj në Prishtinë.

Kandidat i AAK-së për kryetar komune në zgjedhjet e 12 tetorit është Agron Kuçi.

Reagimi i plotë i AAK-së në Junik:

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Dega në Junik, njofton opinionin publik, institucionet dhe mediat se, në fillim të fushatës zgjedhore në komunën e Junikut, jemi përballur me shkelje të rënda ligjore dhe diskriminim politik të orkestruar nga kryetari i Komunës së Junikut, R. Shehu, dhe djali i tij Visar Shehu, drejtor i Prokurimit Publik në Komunën e Prishtinës.
Pas lidhjes së marrëveshjes me kompaninë e autorizuar “Selmans Network” për vendosjen e billbordëve dhe banerëve zgjedhor, kjo kompani është kërcënuar nga kryetari i Komunës së Junikut me fjalët: “Nëse vendosni materialet e AAK-së, do t’i rrëzoj të gjitha shtyllat e billbordëve dhe banerëve.”
Ndërkohë, drejtori i Prokurimit të Komunës së Prishtinës ka paralajmëruar anulimin e kontratave aktuale mes komunës dhe kompanisë “Selmans Network”, si dhe refuzimin e kontratave të reja që presin nënshkrimin.
Ky presion i drejtpërdrejtë përbën abuzim me pozitën zyrtare, shantazh ekonomik dhe pengim të ushtrimit të së drejtës sonë ligjore për një fushatë të barabartë.

Ne theksojmë se nuk kemi kërkuar trajtim preferencial, por vetëm respektim të barazisë ligjore në përdorimin e hapësirave publike për fushatë, sipas parimit proporcional dhe në përputhje me fuqinë politike të subjekteve konkurruese.
Këto veprime bien ndesh me:
– Ligjin për zgjedhjet në Republikën e Kosovës, i cili garanton barazi për të gjitha subjektet politike;
• Kushtetutën e Republikës së Kosovës, që siguron të drejtën e pjesëmarrjes së lirë në zgjedhje dhe konkurrencë të ndershme;
• Parimet e demokracisë lokale, që kërkojnë përdorim të drejtë e jo selektiv të burimeve publike.
Një sjellje e tillë tregon se pushteti aktual komunal është i gatshëm të uzurpojë institucionet për interesa personale e partiake, duke përdorur kërcënime e presione për të penguar konkurrencën politike.
Ky është sulm i drejtpërdrejtë ndaj demokracisë dhe procesit zgjedhor, që dëmton jo vetëm subjektin tonë, por të gjitha partitë dhe qytetarët e Junikut.
Andaj kërkojmë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe organet përkatëse që të ndërhyjnë menjëherë për:
• Sigurimin e hapësirave të barabarta për të gjitha subjektet politike;
• Ndalimin e çdo presioni dhe shantazhi ndaj operatorëve privatë të kontraktuar ligjërisht;
• Marrjen e masave disiplinore dhe ligjore ndaj atyre që kanë uzurpuar institucionet komunale për qëllime personale e partiake.
Ne i sigurojmë bashkëqytetarët e Junikut se do të vazhdojmë fushatën tonë me transparencë, ligjshmëri dhe vendosmëri.
Nuk do të lejojmë që kërcënimet dhe shkeljet e pushtetit aktual të na ndalojnë. Demokracia fiton vetëm atëherë kur garojmë të barabartë dhe kur qytetarët vendosin lirshëm, pa presion.

P.S. ( AAK-ë, Dega në Junik do të ndermerrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore, pranë KQZ-së dhe organeve komptetente për çështjen).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, po vazhdon turin…