Si u falsifikua aktgjykimi i Gjykatës së Prizrenit dhe më pas u regjistrua prona 16-milionëshe e AKP-së
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj Shkubim Qehajës, i cili u arrestua nga Krimet Ekonomike pasi dyshohet për falsifikim të dokumenteve me pronat e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).
Sipas dosjes së siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, ekziston dyshimi i arsyeshëm se i dyshuari Shkumbin Qehaja gjatë vitit 2021-2022 në Prishtinë, në bashkëkryerje me të dyshuarit Dritmir Islami, Venhar Hana dhe Sllavica Mikiq, pas një marrëveshje, e kanë falsifikuar tërësisht aktgjykimin e Gjykatës së Prizrenit, të datës 28 prill 1976.
Aty thuhet se i pandehuri Qehaja me pajisjet e tij me makinë shkrimi dhe letër papirus (të viteve 1970-1998) e ka përpiluar, vulosur dhe nënshkruar aktgjykimin e Gjykatës së Prizenit, si dhe mbështjellësin e lëndës në emër të Sllavica Mikiq, për t’u dukur si origjinal dhe përmes të pandehurit Mehdi Bahtiri, zyrtar i Arkivit Shtetëror të Kosovës, e dërgon në Arkiv, duke e vendosur tek lëndët e dërguara nga Gjykata e Prizenit.
Sipas Prokurorisë, derisa Sllavica Mikiq kishte pasur për qëllim që të rregullonte dokumentacionin e një prone- shtëpisë që gjendet në rrugën “Sylejman Vokshi” në Prishtinë, gjatë vitit 2021 tani i ndjeri F.K., kishte shkuar te shtëpia e Mikiq dhe e kishte marrë dhe bindur se do të aplikonte në emër të saj në Arkivin e Kosovës kinse për tërheqjen e dokumentacionit, e që në fakt ka aplikuar dhe janë pajisur me aktgiykimin e Gjykatës së Prizenit, të 28 prillit 1976, i cili dokumentacion ishte vendosur në Arkivin e Kosovës në mënyrë të kundërligjshme.
Më pastaj, thuhet se e pandehura Sllavica më 21 maj 2021 shkon te noterja Valdete Ademi dhe e autorizon për përfaqësim të pandehurin Venhar Hana që ta përfaqësojë pranë institucioneve të Republikës së Kosovës.
Kurse, më tutje thuhet se Venhar Hana paraqiti kërkesë në Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër të Prishtinës, ku dy herë i refuzohet me arsyen se aktgjykimi është i paekzekutueshëm dhe i kundërligjshëm.
Pastaj, thuhet se në bazë të kërkesës së tij, edhe pse e dinte se e përdor aktgjykimin e falsifikuar dhe paraqet kërkesë në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, e cila e ka detyruar Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër të Prishtinës, duke u bazuar në aktgjykimin e Gjykatës së Prizrenit, ta regjistrojë pronën në emër të Sllavica Mikiq, e cila bëhet pronare e ngastrës prej 3.92 Ha në Veternik të Prishtinës, e cila ishte pronë e Radio Televizionit të Prishtinës- përkatësisht Agencisë Kosovare të Privatizimit, në vlerë rreth 16 milionë euro.
Gjithashtu, thuhet se gjatë kontrollit/bastisjes që i është bërë në shtëpinë e të dyshuarit, në një shportë të mbeturinave i është gjetur një armë- pistoletë dhe 103 fishekë.
Me këto veprime, i pandehuri Shkumbin Qehaja në bashkëkryerje me të dyshuarit: Venhar Hana, Dritmir Islami dhe Sllavica Mikiq dyshohet se ka kryer veprat penale “Falsifikim i dokumentit” nga neni 390, par. 3 lidhur me par.1, dhe “Mbajtje në pronëso, kontroll pse posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, si dhe “Legalizim i përmbajtjes së rreme nga neni 395 i Kodit Penal.
Ndryshe, në qershor të 2025-s, avokati Venhar Hana dhe instruktori Dritmir Islami, ishin arrestuar lidhur me dyshimet për dallavere me pronën e ish-Radio Televizionit të Prishtinës (RTP) në lagjen Veternik të Prishtinës. Ndaj tyre ishte caktuar masa e paraburgimit.
Avokati Hana ka qenë subjekt i hulumtimit të rastit të një prone milionëshe në “Veternik”, i cili rast është hulumtuar nga “Betimi për Drejtësi”, ku janë paraqitur prova për falsifikimet e pretenduara.
“Betimi për Drejtësi” kishte raportuar për përfshirjen e noteres Ademi edhe në rastin e pronës milionëshe në Veternik, ku sipas informatave nga Prokuroria, e njëjta është duke u hetuar edhe për atë rast.
Ademi në një rast tjetër po akuzohet për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” gjatë përpilimit të aktit noterial “Kontratën për shitblerjen e tokës-parcelës me shtëpi në proces të legalizimit”, duke ngritur çmimin e shitblerjes së paluajtshmërisë nga 140 në 160 mijë euro, dhe dëmtoi palët kontraktuese në vlerë 20 mijë euro.



