Jemi në pritje të Qeverisë për korrigjimin e marrëveshjes me Malin e Zi

19 nëntor 2018 | 16:13

Kryetari i Komisionit për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, Shpejtim Bulliqi, ka bërë me dije se janë në pritje të Qeverisë për ta filluar punën për korrigjimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi. Ai ka treguar se qeveritë e të dy vendeve fillimisht duhet t’i autorizojnë komisionet përkatëse për fillimin e korrigjimit të marrëveshjes.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Bulliqi ka vlerësuar se komisioni që drejton ai tani është duke bërë kompletimin e  të dhënave që janë në favor të Kosovës. “Po presim Qeverinë të na e hapë rrugën që të ulemi të dyja komisionet përgjegjëse për t’u marrë me korrigjimin e vijave kufitare. Deri tash komisioni ka vazhduar punën e kompletimit të të dhënave që janë në favor të Kosovës”, ka thënë Bulliqi.

Ai ka sqaruar rrugën se si do të vijë deri te korrigjimi i marrëveshjes për demarkacionin. “Hapi i parë është që Qeveria jonë ta krijojë trupën punuese për korrigjimin sipas marrëveshjes së dy presidentëve, pastaj përmes shkëmbimeve  diplomatike duhet t’u hapet rruga këtyre grupeve punuese që ta fillojnë procesin e korrigjimit të vijës kufitare. Dua ta sqaroj, ne si komision nuk kemi mandat dhe nuk ia përcaktojmë Qeverisë agjendën se si duhet të veprojë. Janë çështje që i rregullojnë politika dhe diplomacia, ndërsa në vijmë në pyetje kur të aranzhohen takimet për çështjet teknike që pasojnë bazuar në pikat shtesë të marrëveshjes mes presidentëve”, është shprehur ai, duke u shprehur i sigurt se komisioni do t’i justifikoj qëndrimet e tij në mbështetura në fakte. “Një gjë ju siguroj, se kurdo që komisionit tonë t’i jepet mundësia që ta trajtojmë procesin e korrigjimit rreth zonave të përmendura sipas marrëveshjes, ne do ta justifikojmë qëndrimin tonë të mbështetur në fakte”, ka thënë Bulliqi.

Kryetari i Komisionit për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror ka folur edhe për korrigjimin e kufirit me Serbinë. Sipas tij, askush nuk duhet të frikësohet në këtë proces. “Ju siguroj se sa i përket aspektit profesional të komisionit tonë askush nuk ka nevojë të shqetësohet. Nuk do t’ia lëmë rastit asgjë. Në komision kemi anëtarë të përgatitur mirë që në asnjë rrethanë, për hatër të askujt, nuk do të heqin dorë nga ajo çka është e Kosovës. Ata do të bazohen në fakte. Dhe, Kosova është e gatshme për t’u përballur me fakte me palën serbe”, ka thënë Bulliqi.

“Epoka e re”: Z. Bulliqi, janë bërë nëntë muaj nga miratimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi. Së bashku me marrëveshjen, në projektligj është përfshirë edhe raporti juaj që tregon për gabimet që janë bërë në këtë proces. A ka marrë ndonjë detyrë tjetër komisioni që ju drejtoni nga Qeveria për rishikimin e kësaj marrëveshje?

Bulliqi: Po, është e vërtetë kjo që thoni. Po presim Qeverinë të na e hapë rrugën që të ulemi të dyja komisionet përgjegjëse për t’u marrë me korrigjimin e vijave kufitare. Deri tash  komisioni ka vazhduar punën e kompletimit të të dhënave që janë në favor të Kosovës.

“Epoka e re”: Cili është hapi i parë që duhet ta ndërmarrë Qeveria për ta nisur korrigjimin e kësaj marrëveshje?

Bulliq: Hapi i parë është që Qeveria jonë ta krijojë trupën punuese për korrigjimin sipas marrëveshjes së dy presidentëve, pastaj përmes shkëmbimeve  diplomatike duhet t’u hapet rruga këtyre grupeve punuese që ta fillojnë procesin e korrigjimit të vijës kufitare. Dua ta sqaroj, ne si komision nuk kemi mandat dhe nuk ia përcaktojmë Qeverisë agjendën se si duhet të veprojë. Janë çështje që i rregullojnë politika dhe diplomacia, ndërsa ne vijmë në pyetje kur të aranzhohen takimet për çështjet teknike që pasojnë bazuar në pikat shtesë të marrëveshjes mes presidentëve.

“Epoka e re”: Opozita, konkretisht Lëvizja Vetëvendosje, së fundi ka shprehur skepticizëm të madh se do të mund të korrigjohet kjo marrëveshje. Cili është komenti juaj?

Bulliqi: Nuk mund t’i komentoj qëndrimet e subjekteve politike. Një gjë ju siguroj, se kurdo që komisionit tonë t’i jepet mundësia që ta trajtojmë procesin e korrigjimit rreth zonave të përmendura sipas marrëveshjes, ne do ta justifikojmë qëndrimin tonë të mbështetur në fakte.

“Epoka e re”: Është paralajmëruar se në fazën finale të dialogut me Serbinë pritet të ndodhë edhe demarkacioni i kufirit Kosovë – Serbi. Sa sfiduese do të jetë kjo për Kosovën? Do të jetë më lehtë se caktimi i vijës kufitare me Malin e Zi apo më vështirë?

Bulliqi: Çdo proces demarkimi i ka të përbashkëtat dhe të veçantat e veta. Raportet ndërfqinjesore e thjeshtësojnë apo komplikojnë procesin e demarkimit me çdo shtet fqinj. Element tjetër është edhe serioziteti i vet shtetit/komisionit që merret me këto çështje. Me Serbinë  raportet i kemi çfarë i kemi, pra kemi situatë ku Serbia ka pretendime territoriale ndaj Kosovës. Në rrethana normale nuk do të duhej të paraqiten komplikime, por për çdo rast pala e Kosovës duhet të jetë vigjilente, ndërsa që rasti me Malin e Zi duhet të na shërbejë si shembull që çdo shqetësim të shprehur nga kushdo ta marrim seriozisht.

“Epoka e re”: A është e gatshme Kosova dhe komisioni që ju drejtoni të përballet me Serbinë për procesin e demarkimit të kufirit?

Bulliqi: Ju siguroj se sa i përket aspektit profesional të komisionit tonë askush nuk ka nevojë të shqetësohet. Nuk do t’ia lëmë rastit asgjë. Në komision kemi anëtarë të përgatitur mirë që në asnjë rrethanë, për hatër të askujt, nuk do të heqin dorë nga ajo çfarë është e Kosovës, gjithnjë duke u bazuar në fakte. Kosova është e gatshme për t’u përballur me fakte me palën serbe. Për të mos dalë Kosova humbëse, shpresoj se në këtë proces Serbia të mos gjejë “përkrahës dorëlirë” vullnetarë nga Kosova të cilët do ta justifikojnë heqjen dorë nga territori ynë. Komplikimi politik dhe ideja e shkëmbimeve territoriale është situatë e re, kuptohet sjell komplikime dhe rreziqe të shumta. Ne si komision kemi mandat vetëm për kufirin ekzistues të Kosovës të përgatitemi për punë. Ne nuk jemi në dijeni se a ka apo nuk ka ndonjë  “strukturë paralele” pa mandat, që mund të jetë duke u marrë me atë çështje, pra ndarjen e Kosovës apo “shkëmbimin territorial”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka marrë…