Hoxha uron që edhe Kosova ta sigurojë ‘play-off’-in

14 nëntor 2025 | 11:16

Arbër Hoxha është prej lojtarëve më të mirë te Dinamo Zagrebi. I rëndësishëm është bërë edhe te Shqipëria. Hoxha ishte në fushë titullar në fitoren 1:0 të Shqipërisë në udhëtim tek Andorra. Me fitore, Shqipëria e ka siguruar “play-off”-in për Botëror.

Ai më parë ka luajtur edhe për Kosovën, por ka vendosur më pas të vazhdojë te Shqipëria.

Pas avancimit në “play-off”, Hoxha shpreson që edhe Kosova ta sigurojë “play-off”-in.

Kosova e siguron “play-off”-in nëse barazon të shtunën me Slloveninë në udhëtim.

“I uroj më të mirat Kosovës. Jam nga Kosova, e shikoj kur luan dhe shpresoj që edhe Kosova ta arrijë Botërorin”, ka deklaruar Hoxha.

Hoxha e ka pranuar se festa ka qenë e madhe pas fitores ndaj Andorrës.

“Festuam shumë normal. Në pjesën e dytë ndryshuam qasjen dhe na duhej fitorja. Çdo minutë që kalonte na vështirësoheshin punët. Por shënuam dhe siguruam fitoren. Është kënaqësi të luash për Kombëtaren. Jam në ritëm të mirë edhe tek ekipi im. Jam në ritëm të lartë dhe uroj të korr suksese. Gjithmonë Kombëtarja ta jep një emocion të madh, dhe është prej sukseseve më të mëdha”, ka thënë Hoxha.

Hoxha tregoi se Shqipëria pati telashe ndaj Andorrës, përfaqësuese që është mbrojtur shumë.

“Kur luan ndaj ekipeve si Andorra që renditet me pesë mbrojtje, apo me 10 në mbrojtje, nuk ke shumë hapësira. Në pjesën e dytë ikëm gjithë përpara dhe arritëm te goli. Në pjesën e parë nuk ishim mirë, por krijuam shumë raste në pjesën e dytë dhe fituam. Broja ka kualitete por nuk pata situata një kundër një, pasi kishte dy apo tre lojtarë afër”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se beson…