Dalja publike e UÇK-së, forca që zgjoi ndërgjegjen demokratike të botës

27 nëntor 2025 | 14:58

Shkruan: Albatrit Rexhepi, historian

Dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) përbën një ndër momentet më të rëndësishme në historinë e rezistencës shqiptare në fund të shekullit XX. Ky akt shënoi transformimin e një lëvizjeje të armatosur nga aktiviteti i saj ilegal dhe i fragmentuar në një forcë të identifikuar publikisht, me strukturë, mision dhe synim të qartë. Në një kohë kur represioni i regjimit serb ndaj popullsisë shqiptare po thellohej, shfaqja e UÇK-së në skenën publike u bë momenti që ndryshoi rrjedhën e ngjarjeve në Kosovë.

Konteksti historik

Që prej vitit 1989, shqiptarët e Kosovës përballeshin me një regjim represiv të instaluar nga Serbia, i cili suprimoi autonominë, institucionalizoi dhunën dhe margjinalizoi popullsinë shqiptare në çdo sferë të jetës. Në këtë kontekst, UÇK u zhvillua si reagim ndaj represionit, por për një kohë të gjatë operoi në fshehtësi. Dalja publike me 28 nentor 1997 ne Llaushë te Skenderajt ishte momenti kur organizata vendosi të shpallet hapur para popullit dhe botës, duke theksuar se rezistenca e armatosur ishte realitet dhe jo më vetëm një zë i largët në komunikata.

Hapat e parë drejt publikimit

Edhe pse UÇK kishte kryer veprime të armatosura që prej fillimit të viteve ’90, ajo mbeti për një kohë të gjatë e paidentifikuar zyrtarisht. Njoftimet për ekzistencën e saj qarkullonin nëpërmjet deklaratave anonime dhe incidentesh sporadike, por mungonte një paraqitje e hapur që do të afirmonte organizatën si subjekt politik e ushtarak të veçantë. Ky realitet ndryshoi gradualisht me rritjen e aktivitetit të UÇK-së dhe sidomos me rritjen e tensioneve në zonat rurale të Drenicës, ku përplasjet mes strukturave serbe dhe familjeve të njohura për rezistencë, si ajo e Jasharëve, po intensifikoheshin.

Dalja publike

Dalja publike e UÇK-së u konkretizua më 28 nëntor 1997 ne Llaushë të Skenderajt, pikërisht në kulmin e mizorisë serbe ku ato ditë u vra mësuesi Halit Geci nga po i njejti fshat.Në varrimin e tij kishin marr pjesë qindra mijëra persona nga të gjitha anët e Kosovës dhe me gjerë. Përmes deklaratave të hapura, paraqitjeve nëpër media dhe manifestimit të simboleve të organizatës,u kuptua se legjitimiteti i saj duhej të dilte nga hija dhe të fitonte një identitet të qartë para qytetarëve të Kosovës dhe faktorit ndërkombëtar.

Kjo periudhë shënoi gjithashtu prezantimin e disa figurave të saj, si dhe marrjen e përgjegjësisë për aksione të caktuara ushtarake. Njëkohësisht, ngjarjet në Drenicë – veçanërisht rezistenca e familjes Jashari dhe rënia heroike e saj më 5,6,7 mars 1998 – u bënë katalizatori kryesor që e ktheu UÇK-në në simbol të rezistencës së armatosur. Pas këtyre ngjarjeve, organizata u shfaq në mënyrë të qartë në publik si një forcë që vepronte në emër të popullit shqiptar të Kosovës.

Reagimi i popullit dhe i faktorit ndërkombëtar

Dalja publike e UÇK-së pati efekt të menjëhershëm në opinionin e gjerë shqiptar. Ajo u pa si një shpresë e re në një situatë ku rruga paqësore po dukej e pamjaftueshme përballë dhunës sistematike. Mbështetja popullore filloi të rritet me shpejtësi, duke i mundësuar UÇK-së të zgjerohej në njerëz, pajisje dhe territor.

Ndërkombëtarët, fillimisht ishin skeptikë, u detyruan të përballen me një realitet të ri: Kosova nuk ishte më vetëm një çështje represioni, por një konflikt i armatosur me aktorë të identifikueshëm. Ky ndryshim do të luante rol vendimtar në rritjen e angazhimit ndërkombëtar, i cili më vonë çoi në ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999.

Rëndësia historike

Dalja publike e UÇK-së shënon një pikë kthese në histori, sepse ndryshoi karakterin e rezistencës në Kosovë nga pasive në aktive i dha një strukturë të qartë të armatosur aspiratave për liri nxiti mobilizimin e popullsisë në masa të mëdha, tërhoqi vëmendjen dhe reagimin e diplomacisë ndërkombëtare. U bë preludi i ngjarjeve që çuan në çlirimin e Kosovës dhe në ndryshimin e strukturës politike të rajonit. Në retrospektivë, ky moment mbetet një ndër kapitujt më vendimtarë të historisë moderne të Kosovës, duke simbolizuar jo vetëm fillimin e luftës së hapur për liri, por edhe afirmimin e vullnetit kolektiv të një populli për të vendosur mbi fatin e vet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbëria…