Haradinaj prezanton asamblistin më të votuar të Prishtinës si kandidat për deputet të AAK-së
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, përmes llogarisë së tij në Facebook, ka njoftuar se asamblisti më i votuar i AAK-së në Komunën e Prishtinës, Kreshnik Smajlaj, do të jetë kandidat për deputet në listat zgjedhore të AAK-së në zgjedhjet që do të mbahen më 28 dhjetor 2025.
Njoftimi i plotë i Haradinajt:
Kreshnik Smajlaj kurrë nuk është ndalur së krijuari mundësi për të rinjtë. Në një kohë kur shumë të rinj janë detyruar të largohen nga Kosova, ai ka zgjedhur të investojë, të punojë dhe t’u japë shpresë të tjerëve.
Shumë prodhues vendorë kanë rritur kapacitetet e tyre, por rasti i Kreshnikut është i veçantë.
Përkushtimi që ai ka e dallon nga të tjerët dhe e bën shembull të sipërmarrësit modern, që kthen shpresën për qytetarin e Prishtinës dhe të gjithë Kosovës.
Si asamblisti më i votuar në zgjedhjet e fundit lokale në Prishtinë nga lista e AAK-së, ai sjell frymën dhe energjinë që e karakterizon në çdo hap.
Prandaj, kandidatura e Kreshës për deputet është vazhdimësi e punës dhe përkushtimit që ai ka treguar ndër vite, me përgjegjësi dhe vizion për një Prishtinë dhe Kosovë të zhvilluar.
Paç sukses, Kreshnik, dhe na priftë e mbara bashkë në garën për deputet dhe si shef i shtabit në kryeqytet.



