Flick sqaron arsyen pse qau në bankën rezervë: Isha i zhgënjyer

01 dhjetor 2025 | 16:11

Barcelona mundi Alaveshin në fundjavë 3-1, mirëpo ajo që mori vëmendjen më të madhe pas përfundimit të sfidës nuk ishte rezultati, por një video që filloi të shpërndahej me shpejtësi në rrjete sociale.

Pamjet tregonin trajnerin Hansi Flick të ulur në pankinë, gati në lot, teksa në krah i qëndronte braziliani Raphinha duke i folur, ndërsa gjermani dukej i tronditur dhe tundte kokën me mosbesim.

Skenë që ngriti shumë pikëpyetje dhe nisi diskutime të shumta në media e te tifozët.

Në konferencën për shtyp para ndeshjes ndaj Atletico Madrid, Flick vendosi të sqarojë publikisht çfarë kishte ndodhur në ato momente që u bënë virale. Ai tha se reagimi ishte keqinterpretuar dhe se situata nuk kishte lidhje me ndonjë krizë personale apo ndjenjë dorëzimi.

“Është qesharake se si kanë shkuar gjërat. Nuk e di kush filloi të analizonte pamjet. E thashë tashmë se isha i zhgënjyer me ndeshjen dhe me kartonët e kuq që morëm. Shikova përreth dhe u thashë të qëndronin të qetë. Kur shënuam golin e tretë, Markus mori një karton të kuq dhe unë fola me të, ai është miku im, personi më i rëndësishëm që kam këtu dhe e kisha bisedën në mendje”, deklaroi trajneri.

Flick shpjegoi se kishte vendosur të largohej për pak nga tensioni i ndeshjes për të marrë ajër dhe për të shmangur debatet e panevojshme.

“Mendova se kur të shkoja në dhomën e zhveshjes do të thoja diçka më shumë, por preferova të rrija jashtë dhe të merrja pak ajër të pastër. Nuk doja të debatoja me Markus Sorg. Jam mirë dhe jam gati për çfarëdo që të sjellë sezoni. E di situatën e klubit dhe jam i lumtur që jam këtu. Këto ndeshje të konsumojnë shumë energji, por kur kthehem në shtëpi relaksohem dhe nis përgatitjen për sfidën tjetër”, deklaroi Flick.

Në fund, gjermani u shfaq i qartë dhe pa dyshime për të ardhmen e tij te Barcelona, duke thënë se skuadra ka potencial dhe po punon mirë, duke tentuar të shuajë çdo keqkuptim që lind nga pamjet që u përhapën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, ka thënë të hënën se…