EULEX-i rekomandon kamera në uniformat e policisë
Një raport i publikuar nga EULEX-i ka ngritur shqetësime serioze mbi trajtimin e rasteve të keqtrajtimit nga zyrtarët policorë në Kosovë dhe ka bërë thirrje për vendosjen urgjente të kamerave trupore në uniformat policore, si masë për rritjen e transparencës dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.
Sipas raportit, nga shqyrtimi i aktgjykimeve të rasteve të monitoruara, dhuna ndaj 22 viktimave ka ndodhur jashtë ambienteve të policisë, ndërsa në 11 raste brenda stacioneve policore. Gjetjet bazohen në monitorimin e 25 proceseve, në të cilat janë përfshirë gjithsej 41 zyrtarë policorë të akuzuar.
Raporti detajon se 18 prej tyre (44%) ishin pjesë e njësive speciale, 15 vinin nga njësi të rregullta ose të paspecifikuara (37%), pesë ishin hetues (12%) dhe tre nga policia e trafikut (7%). Rastet përfshinin 29 viktima – mes tyre edhe tre të mitur.
Në total, EULEX identifikoi 73 akuza të ngritura ndaj 41 zyrtarëve, por theksoi se hetimet shpesh nisnin me vonesa të konsiderueshme, duke cenuar disponueshmërinë dhe cilësinë e provave.
“Në raste të shumta, hetimet fillestare u nisën disa javë pas akuzave publike, duke çuar në uljen e disponueshmërisë së provave”, thuhet në raport. Po ashtu, intervistat me zyrtarët e dyshuar, viktimat dhe dëshmitarët shpesh u zhvilluan me muaj vonesë, edhe kur identiteti i tyre ishte i njohur, gjë që rritte rrezikun e deklaratave të koordinuara.
EULEX paralajmëron se këto vonesa ndikojnë drejtpërdrejt në efektivitetin e hetimeve dhe dëmtojnë besueshmërinë institucionale.
Misioni rekomandon nisjen dhe zbatimin sa më të shpejtë të kamerave trupore në uniformat e zyrtarëve policorë.



