Shqiptar Gubetini: Përfshirja e Fatmir Limajt në listën e PDK-së do të ishte një forcim historik
Kryetari i PDK-së në Regensburg, Shqiptar Gubetini, ka bërë një thirrje të fortë për unitet brenda Partisë Demokratike të Kosovës, duke kërkuar afrimin e Fatmir Limajt në listën e PDK-së në këtë moment kritik për vendin dhe për UÇK-në.
Gubetini ka theksuar se situata aktuale politike dhe gjyqësore që po kalon Kosova, me liderët e luftës dhe të PDK-së në Hagë, kërkon maturi, vizion dhe bashkim kombëtar. Ai tha se mesazhet e dhëna nga gjenerali amerikan Wesley Clark për drejtësinë e luftës së UÇK-së duhet të jenë udhërrëfyese edhe për spektrin politik në vend.
Sipas tij, PDK-ja ka nevojë për forcim të brendshëm dhe për bashkimin e figurave kyçe të luftës.
Gubetini e quajti hyrjen e Fatmir Limajt në listën e PDK-së “një forcim historik”, duke theksuar se Limaj mbetet një ndër figurat më të rëndësishme të luftës dhe një zë i fuqishëm për drejtësinë dhe të vërtetën.
Thirrja e Shqiptar Gubetinit:
Sot, duke parë nga afër betejën e së vërtetës për luftën e UÇK-së, e ndjej më shumë se kurrë se vendi ynë ka nevojë për bashkim, jo përçarje.
Gjenerali Wesley Clark foli qartë për drejtësinë e luftës sonë. Po aq qartë duhet të flasim edhe ne sot, këtu, në Kosovë.
Koha që po jetojmë është e rëndë.
Liderët tanë të luftës dhe të PDK-së janë në Hagë.
Dhe pikërisht sot kërkohet unitet, vendosmëri dhe përgjegjësi.
Si veprimtar i vjetër i PDK-së, unë besoj se ky është momenti që partia jonë të tregojë maturi dhe vizion.
Është koha të bashkohemi, jo të ndahemi.
Është koha të forcohemi, jo të dobësohemi.
Prandaj e them hapur:
Hyrja e Fatmir Limajt në listën e PDK-së do të ishte një forcim historik.
Limaj ka qenë dhe mbetet një prej figurave kyçe të luftës, një zë i fortë për drejtësinë dhe të vërtetën.
Në këto momente kur UÇK-ja po përballet me sfidën më të madhe, bashkimi i tij me PDK-në do të na motivonte, do të na fuqizonte dhe do t’i jepte vendit sigurinë që i duhet.
PDK është shtëpia e luftës.
UÇK është themeli i lirisë.
Bashkimi i njerëzve që kanë dhënë gjithçka për këtë vend është detyrë, jo opsion.
Asnjëherë më shumë se sot, Kosova ka nevojë për lidership, maturi dhe unitet.
Ne nuk kemi luks të krijojmë armiq brenda njëri-tjetrit.
Kemi vetëm një qëllim: të mbrojmë të vërtetën, lirinë dhe vendin tonë.
Thirrja ime është e qartë:
Të bashkojmë radhët.
Të forcojmë PDK-në.
Të afrojmë Fatmir Limajn në këtë betejë politike e kombëtare.
Kosova është mbi të gjitha.
SHG
PDK Regensburg



