ZRRE-ja mban “fshehtë” planin vjetor të energjisë për 2025

03 dhjetor 2025 | 08:17

Zyra e Rregullatorit për Energji po e mban “fshehtë” Planin vjetor të energjisë për 2025, të cilin e miratoi 13 muaj pas pranimit të kërkesës nga Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Tregut.

Ani se ky plan është miratuar në mbledhjen e 7 nëntorit të 2025-tës, nuk është publikuar ende në faqen e ZRRE-së.

KOHA ka kërkuar nga ky institucion arsyet e vonesës në miratim dhe mospublikimit të tij, por nuk ka marrë përgjigje që nga e hëna.

Të dhënat e bilancit vjetor, që bazohet në nevojat e planifikuara të konsumit të energjisë për vitin 2025, nuk u bën publike as në mbledhjen e Bordit të ZRRE-së.

Kërkesa për aprovim të bilancit është përcjellë nga KOSTT-i më 11 tetor të 2024-tës.

“Bilanci vjetor i energjisë elektrike paraqet planin vjetor të shpenzimit të energjisë elektrike në raport me energjinë elektrike në dispozicion. Bilanci vjetor i energjisë bazohet në nevojat e planifikuara të konsumit të energjisë për 2025, i cili është parashikuar të furnizohet nga gjenerimi vendor dhe nga importi i energjisë elektrike. Po ashtu në bilanc parashikohet edhe eksportimi i tepricave të energjisë elektrike”, thuhet në vendimin e Bordit të ZRRE-së.

Por te vendimi nuk paraqitet asnjë shifër që përmban plani.

E në draft-bilancin e energjisë për 2025 e janarit të këtij viti, prodhimi  vendor i rrymës është paraparë të jetë 5 milionë e 579 mijë e 680 MWh, ndërsa importi 1 milion e 768 mijë e 58 MWh.

Te pjesa e importeve për konsumatorët e kyçur drejtpërdrejt në transmetim përmenden vetëm  SharrCem, Trepça dhe Ferronikeli, por jo edhe bizneset që nga 1 qershori kanë dalë në treg të lirë.
E sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave nga janari deri në shtator të këtij viti prodhimi vendor i energjisë ishte 4 milionë e 89 mijë e 640 MWh, apo 972 mijë e 170 megavat më pak sesa në periudhën e njëjtë të 2024-tës.

Nga janari deri në shtator, sipas ASK-së, Kosova importoi energji në vlerë prej 3 milionë e 114 mijë e 25 megavatëve për orë, apo 1 milion e 11 mijë e 559 megavatë më shumë sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Pra një rritje prej 48 për qind brenda 9 muajve.

Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2024 janë importuar rreth 47 milionë euro energji më shumë sesa të hyrat maksimale të lejuara, dhe tarifat më pas në mars të 2025 u rritën për 16.1 për qind.

Të dhënat nga tremujori i fundit i këtij viti do të përcaktojnë nëse do të ketë shtrenjtim dhe sa për qind do të jetë ajo.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një takim në Kremlin midis Presidentit rus Vladimir Putin dhe…