Konstituohet Kuvendi i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj betohet si kryetar

03 dhjetor 2025 | 11:42

Kuvendi i Komunës së Kamenicës ka mbajtur të mërkurën mbledhjen inauguruese, përmes së cilës u konstitua si organi më i lartë i qeverisjes lokale, i dalë nga zgjedhjet lokale të mbajtura më 12 tetor.

Me këtë mbledhje nisi zyrtarisht puna e legjislaturës së tetë.

Mbledhja u drejtua nga anëtari më i vjetër i Kuvendit, Sejdi Kurteshi, i cili mbajti fjalën e hapjes ku u verifikuan mandatet e të zgjedhurve, si dhe udhëhoqi procesin e betimit.

Gjatë ceremonisë, të gjithë asamblistët njëzëri dhanë betimin solemn, duke shqiptuar fjalët: “Betohem (ose deklaroj solemnisht) se do t’i kryej me nder, besnikëri, pa anime, me ndërgjegje dhe sipas ligjit detyrat dhe do t’i ushtroj autorizimet e mia si këshilltare e Kuvendit të Komunës së Kamenicës, në mënyrë që të sigurohen kushte për jetë të qetë për të gjithë”.

Pas betimit të asamblistëve, betimin e dha edhe kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, i cili solemnisht deklaroi: “Unë, Kadri Rahimaj, ‘Betohem (ose deklaroj solemnisht) që do t’i kryej detyrat dhe do t’i ushtrojë kompetencat si Kryetar i Komunës së Kamenicës, me nder, besnikëri, në mënyrë të paanshme, me ndërgjegje dhe në pajtim me ligjin, në mënyrë që t’i siguroj kushtet për një jetë të qetë për të gjithë”.

Kryetari Rahimaj në fjalën e tij tha se që sot po fillojnë një bashkëpunim i ri institucional i cili rrjedhë nga një besim shumë i madh dhe i rëndësishëm qytetar.

“Nga ky besim po fillon kjo seancë e mbi të cilin besim edhe do të vazhdojë puna jonë e përbashkët në shërbim të qytetarëve pa asnjë dallim. Rëndësia e angazhimit tonë është po aq e lartë dhe e rëndësishme sa vet institucioni. Angazhimi jonë duhet të jetë në frymën që të forcoj besimin e secilit qytetarë në institucionet tona. Kjo është puna më e madhe që mund të bëjmë të gjithë bashkë. Kuvendi Komunal është vendi ku ne diskutojmë për çdo çështje për të cilën ne bashkë e shohim si interes për qytetin dhe qytetarin. Diskutimet ose debatet janë të mirëseardhura në çdo kohë dhe për çdo çështje që ndërlidhet me kompetencat e këtij organi të lartë vendimmarrës. Nga 27 asamblistë që ishim në mandatin e kaluar, sot Kuvendi Komunal i Komunës së Kamenicës ka 21 asamblistë nga 6 subjekte politike. Ky pluralizëm politik është i domosdoshëm dhe shumë i nevojshëm për demokracinë. Në zhvillohemi bashkë edhe atëherë kur ka më shumë se një mendim për një çështje të caktuar”, ka thënë Rahimaj.

Lëvizja Vetëvendosje ka 9 mandate, Partia Socialdemokrate e Kosovës (PSD) 4 mandate, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 3 mandate, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 3 mandate, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) 1 mandat dhe Lista Serbe (LS) 1 mandat.

Konstituimi i Kuvendit shënon fillimin e punës së institucioneve të reja komunale dhe hap rrugën drejt ushtrimit të përgjegjësive të qeverisjes lokale për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Robert Lewandowski do të largohet nga Barcelona në fund të…