Kurti nuk komenton kritikat e ShBA-së për moscertifikim të Listës Serbe

03 dhjetor 2025 | 12:02

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti nuk ka komentuar kritikat e Ambasadës Amerikane në Kosovë karshi Lëvizjes Vetëvendosje pas moscertifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Pas pjesëmarrjes së tij në konferencës së 10-të të Mjedrës në Kosovë të organizuar nga Shoqata Nacionale “Mjedra e Kosovës”, kur është pyetur nga gazetarët për kritikat karshi vendimit të partisë që ai udhëheqë për moscertifikimit të Listës Serbe, Kurti nuk ka folur para mediave.

Gjatë ditës së sotme, Ambasada e ShBA-së në Prishtinë ka reaguar ashpër pas moscerifikimit të Listës Serbe nga anëtarët e KQZ-së për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme të Kuvendit të Kosovës.

Përmes një postimi në “Facebook”, Ambasada e ShBA-së ka theksuar se përpjekjet e LV-së për ta bllokuar certifikimin e Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës janë shkurtpamëse dhe përçarëse.

Në reagimin e ambasadës amerikane është thënë se veprimet e tilla minojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat e ShBA-së përfshirë rinisjen e dialogut strategjik për avancimin e mundësive për bizneset amerikane dhe kosovare.

“Përpjekjet e LV-së për ta bllokuar certifikimin që Lista Srpska të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës janë shkurtpamëse dhe përçarëse. Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike. Veprime të tilla minojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat e ShBA-së, përfshirë rinisjen e dialogut tonë strategjik për avancimin e mundësive për bizneset amerikane dhe kosovare”, është thënë në reagim.

Për moscertifikim të Listës Serbe ka reaguar edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph, i cili ka thënë se procesi zgjedhor dhe përgatitjet teknike për zgjedhjet duhet të jenë të lira nga manovrimet politike nga aktorët politikë.

Kujtojmë se dje në votimin ndaras për certifikimin e subjekteve politike, Lista Serbe nuk është certifikuar nga anëtarët e KQZ-së ku ka marrë 2 vota për, 2 kundër dhe 7 abstenime.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me ftesë nga HANDIKOS-i, kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, mori…