Murati thotë se qytetarët e Kosovës kanë më shumë se 2 miliardë euro në banka se para 5 viteve
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se depozitat dhe kursimet e familjeve kosovare në banka në fund të muajit tetor kanë arritur 4.69 miliardë euro.
“Kur faktet çmontojnë propagandën Depozitat dhe kursimet e familjeve kosovare në banka në fund të muajit tetor kanë arritur 4.69 miliardë euro. Sipas të dhënave zyrtare nga seritë kohore në faqen e BQK-së, depozitat dhe kursimet nëpër banka të familjeve në Kosovë kanë shënuar rekord me 4.69 miliardë euro”, ka shkruar Murati në “Facebook”.
Ai ka thënë se ka rritje prej 2.12 miliardë euro në krahasim me tetorin e para viteve.
“Kjo përbën një rritje prej 2.12 miliardë euro, apo 82.5%, krahasuar me muajin tetor para 5 viteve kur depozitat dhe kursimet e familjeve në Kosovë ishin 2.57 miliardë euro. Sa për krahasim, në periudhën 5 vjeçare para Qeverisë Kurti, depozitat dhe kursimet e familjeve kishin shënuar rritje prej vetëm 745 milionë eurove, apo 40.8%. Pra në periudhën 2020-2025, rritja e parave në banka (depozita/kursime) për familjet në Kosovë ka qenë më se 2-fish më e shpejtë sesa rritja e parave në banka përgjatë 5-vjeçarit të qeverisjeve të kaluara (82.5% vs 40.8%)”, ka shkruar Murati.



