Ashpërsimi i diskursit publik në Kosovë, rrezik për qenësinë e shtetit!
Shkruan: Ramadan Avdiu
Viteve të fundit, hapësira publike në Kosovë është polarizuar në mënyrë të skajshme. Debati politik i dikur i gjallë, por i moderuar, është shndërruar në përplasje, akuzë dhe orvatje për delegjitimim. Zëri kritik shpesh trajtohet jo si mendim ndryshe, por si sulm, kurse kundërshtari politik nuk shihet si pjesë natyrore e demokracisë, por si rrezik, tradhtar apo “armik”.
Shumë qytetarë, politikanë të përgjegjshëm, analistë dhe organizata të shoqërisë civile e kanë ngritur shqetësimin se ky ton i ashpër është bërë pjesë e diskursit të instaluar nga Lëvizjen Vetëvendosje, e cila në perceptimin publik përdor gjuhë polarizuese, linçuese, ofenduese e fyese, ndaj atyre që nuk pajtohen me qëndrimet politike të saj.
Akuzat për « krim », « tradhti », « hajni » apo «bashkëpunëtorë me Serbinë », janë bërë etiketa që qarkullojnë lehtë. Shumë më lehtë se sa argumenti, apo respekti minimal ndaj mendimit ndryshe.
Kur një pjesë e skenës politike nxit tension, një pjesë tjetër përgjigjet me të njëjtën masë. Pastaj vazhdojnë mediat, komentet online, rrjetet sociale dhe spiralja zbret poshtë deri te qytetari i zakonshëm që e përjeton politikën si arenë lufte e jo si konfrontim idesh.
Me dominimin e një forme të tillë diksursi shoqëria jonë rrezikon ;
Ndarjen e shoqërisë në « ne » dhe « ata ».
Kur kundërshtari politik trajtohet si armik, krijohet mentalitet i rrezikshëm: grupet shoqërore fillojnë të shohin njëra-tjetrën me mosbesim, frikë e madje edhe me urrejtje. Kjo e dëmton kohezionin social të një shteti të vogël siç është Kosova, e cila më shumë se kurrë ka nevojë për unitet rreth vlerave demokratike.
Zëvendësimin e argumentit me fyerje.
Nëse çdo aktor, njeri a protagonist që ka mendim kritik ndaj «pushtetit», shpallet « kriminel », « hajan », « i shitur » apo « i lidhur me Serbinë », atëherë askush nuk e dëgjon përmbajtjen e debatit. Politika shndërrohet në teatër etiketimesh. Këtu humbin qytetarët, sepse debatet mbi ekonominë, gjendjen sociale, drejtësinë, shëndetësinë e arsimin, kulturen, ambientin, zhduken nën zhurmën e akuzave emocionale.
Mbase kjo është qasje e qëllimshme e Lëvizjes Vetvendosje për të fshahur dështimet dhe abuzimet e pafundme gjatë këtyre viteve sa ata kanë qeverisur në shtetin e Kosovës.
Degradimin e institucioneve.
Institucionet kërkojnë besim. Po qe se debatet politike ushqehen me gjuhë armiqësore, atëherë edhe besimi i qytetarëve bie, kështu siç ka rënë në Kosovë jo vetëm te politikanët, por edhe te vetë institucioniet e shtetit.
Një nga fenomenet më shqetësuese është lufta hibride pjesë e së cilës pavetëdijshëm janë bërë shumë militantë delitantë, sikurse edhe rritja e profileve të rrejshme në rrjete sociale, sidomos tani në prag të fushatës elektorale, veçënarisht nga militantë të Lëvizjes Vetvendosje, që përdoren për të sharë, fyer e sulmuar individë, gazetarë, analistë apo oponentë politikë.
Kjo është një cën i drejtpërdrejtë e hapësirës demokratike dhe një formë presioni që nuk duhet të normalizohet. Nga të gjithë duhet të peshohet fjala publike, sepse në një vend të vogël, fjala ka peshë të madhe. Mund të ngritë ura, por edhe të djegë ura. Mund të informojë, por mund edhe të helmojë opinionin. Politikanët, mediat, aktivistët dhe qytetarët e zakonshëm, të gjithë bartin përgjegjësi në mënyrën se si flasin dhe si reagojnë. Fjala e matur nuk është dobësi, është maturi. Respekti për mendimin ndryshe nuk është tradhti, është themeli i demokracisë.
Si një intelektual, si një prej atyre mijëra veprimtarëve që jetën e kam investim në rezistencë, luftë, ndërtim të paqes, në krijimin dhe zhvillimin e shtetit të Kosovës dëshiroj të dërgoj mesazhe për të gjithë shtetasit e Republikës sonë që të përdorin debate më të shëndetshme.
Refuzoni gjuhën që nxit urrejtje, pavarësisht se nga kush vjen.
Mos e pranoni normalizimin e etiketimeve pa fakte, linçimin, fyerjet, sharjet e denigrimin, por kërkoni argumente.
Mos përdorni dhe mos pranoni profile të rrejshme që shërbejnë vetëm për të denigruar, frikësuar përçarë ose për të manipuluar.
Promovoni etikën e dialogut, jo kulturën e linçimit. Kundërshtari politik nuk është armik, por bashkëqytetar që mendon ndryshe. Kosova ka kaluar periudha shumë më të vështira se sa kjo me të cilën po ballafaqohemi sot. Edhe kjo gjendje mund të ndryshohet me zgjedhje të cilat po afrohen me 28 Dhjetor, duke i ndërshkuar ata që kanë krijuar një ambient të kontaminuar publik për të fshehur dështimet dhe me tendencë për të manipuluar sërish me zgjedhësit.
Megjithatë duhet theksuar se demokracia nuk ndërtohet vetëm me zgjedhje. Ndërtohet me kulturë dialogu. Me respekt. Me fjalë të peshuar. Dhe mbi të gjitha ndërtohet me bindjen se, pavarësisht dallimeve, jemi në të njëjtën anë të historisë dhe jemi në anën e Kosovës.



