Nait Hasani thirrje Bedri Hamzës dhe kryesisë së PDK-së: Pranojeni shkrirjen e Fatmir Limajt si pjesë të saj
Ish-themeluesi i UÇK-së, ish-i burgosuri politik, ambasadori dhe ish-deputeti i PDK-së, Nait Hasani, i ka bërë thirrje kryetarit të PDK-së, Bedri Hamzës, që ta përdorë autoritetin dhe përgjegjësitë politike të tij si kryetar, dhe që kryesia e PDK-së të miratojë pranimin e shkrirjes së Fatmir Limajt si pjesë të saj.
Kjo është thirrja e plotë e Nait Hasanit:
Le të na bashkojë ky 28 dhjetor për fitore. Me PDK-në e bashkuar Kosova mundet më mirë. Në dorën tënde është bashkimi dhe fitorja më 28 dhjetor, Bedri Hamza. Në frymën e unitetit dhe të bashkimit të forcave për fitore në zgjedhjet e 28 dhjetorit, kërkoj nga kryetari i PDK-së, zoti Bedri Hamza, të përdorë autoritetin dhe përgjegjësitë politike të tij si kryetar, dhe që kryesia e PDK-së të miratojë pranimin e shkrirjes së Fatmir Limajt në kuadër të saj.
Bashkimi dhe shkrirja i kërkon koha dhe rrethanat politike nëpër të cilat po kalon Kosova.
Bashkimin dhe unitetin e forcave të copëzuara të PDK-së sot po i kërkojnë ushtarët, qytetarët, simpatizantët dhe elektorati politik i PDK-së.
Bashkimi bën fuqi. Hajde kryetar, bëje hapin me frymën e unitetit, bëje bashkimin.
Unë jam për bashkim, sepse mendoj se të bashkuar sot jemi më të fortë para çdo sfide për të ardhmen e vendit.
Kjo është një fotografi e shkrepur në Kleçkën heroike, ku na bashkoi lufta për liri dhe ku janë arritur fitore të mëdha për Kosovën.



