Sot tërhiqet shorti për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim

07 dhjetor 2025 | 08:09

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është mbledhur të shtunën në mbrëmje dhe ka miratuar ndryshimin e datës për mbajtjen e shortit që përcakton renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të planifikuara të mbahen më 28 dhjetor 2025.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka konfirmuar se, sipas vendimit të ri, ceremonia e tërheqjes së shortit, e cila fillimisht ishte planifikuar për datën 8 dhjetor, do të mbahet një ditë më herët, pra të dielën, më 7 dhjetor 2025.

“Në mbledhjen e sotme, KQZ mori vendim për ndryshimin e afateve kohore të aktiviteteve për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Sipas vendimit të ri, tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim, e parashikuar të mbahet më 8 dhjetor, do të mbahet më 7 dhjetor 2025”, ka deklaruar Elezi.

Sipas tij, ky ndryshim është bërë me qëllim që të mundësohet miratimi më i hershëm i dizajnit dhe përmbajtjes së fletëvotimit, si dhe nisja me kohë e procesit të shtypjes së tyre.

“Vendimi krijon hapësirë shtesë kohore edhe për përgatitjet e nevojshme që lidhen me fillimin e votimit me postë për votuesit jashtë vendit që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi”, ka shtuar Elezi.

Ceremonia e tërheqjes së shortit do të mbahet të dielën, me fillim nga ora 14:00, ndërsa në të janë ftuar të marrin pjesë përfaqësuesit e subjekteve politike. /RTK

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shënimi i Ditës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil ndihmon në gjenerimin…