Punëtorët e KEK-ut protestojnë më 12 dhjetor në Prishtinë
Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) do të protestojnë më 12 dhjetor, me fillim nga ora 11:00, para ndërtesës qendrore të kompanisë në Prishtinë.
Lajmi është bërë i ditur nga Sindikata e Re e KEK-ut përmes një njoftimi të publikuar në “Facebook”.
Sipas sindikatës, protesta do të jetë paqësore dhe ka për qëllim adresimin e disa kërkesave urgjente, të cilat, siç është thënë janë të domosdoshme për përmirësimin e kushteve të punës dhe dinjitetin e punëtorëve.
Ndër kërkesat kryesore përfshihen: rritja e pagave në përputhje me tregun e punës, inflacionin dhe natyrën e rrezikshme të punës në sektor, nivelizimi i pagave të sigurimit fizik me punëtorët e tjerë të KEK-ut, me zbatim nga 1 janari 2026 dhe zbatimi i pagës së 13-të për punëtorët e KEK-ut, në përputhje me premtimet e dhëna për sektorin publik.



