Hajdari tha se s’ka pranuar thirrje, gjykata: Ia kemi dërguar ftesën më 19 nëntor përmes postës
Ka dështuar nisja e gjykimit në rastin e rezervave shtetërore pasi e akuzuara Rozeta Hajdari nuk ka shkuar atje. Përmes një postimi në “Facebook”, ministrja në detyrë ka thënë se nuk ka pranuar thirrje për seancë nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
“Për seancën e sotme gjyqësore, lidhur me çështjen e rezervave shtetërore të mallrave, ju njoftoj se, unë nuk kam pranuar ndonjë thirrje për seancë nga ana e Gjykatës! Në momentin që e pranojë thirrjen nga Gjykata, për seancën e ardhshme, do të paraqitem në seancë gjyqësore!’’, ka shkruar ajo.
Mirëpo nga Gjykata Themelore në Prishtinë kanë thënë për “Express” se e kanë dërguar ftesën më 19 nëntor përmes postës.
“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special me datë 19.11.2025 përmes postës ka dorëzuar ftesën për të pandehuren R.H. për paraqitje në seancën fillestare të datës 10.12.2025, mirëpo Gjykata deri më tani nuk ka pranuar fletëkthesën për të vërtetuar nëse e njëjta ka pranuar ftesën në mënyrë të rregullt apo jo”, ka thënë Mirlinda Gashi, zëdhënëse në gjykatë.



