Betohet kryetari i ri i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci

12 dhjetor 2025 | 14:29

Në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica” të premten është mbajtur mbledhja inauguruese, në të cilën Faton Peci dha betimin dhe mori zyrtarisht detyrën e kryetarit të Komunës së Mitrovicës.

Mbledhjen e udhëhoqi anëtari më i vjetër i Kuvendit, Naser Muja, nga radhët e Lëvizja Vetëvendosje.

Në këtë seancë u bë betimi solemn i 30 anëtarëve të Kuvendit, të zgjedhur në zgjedhjet lokale të mbajtura më 12 tetor 2025.

Para anëtarëve të Kuvendit, betimin e ka bërë edhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, i cili mori mandatin për të udhëhequr komunën për katër vitet e ardhshme.

Në fjalimin e tij pas betimit, kryetari i komunës, Faton Peci, potencoi se është mirënjohës për besimin që iu është dhënë përgjegjësia më e madhe që njeriu mund ta marr nga qyteti i tij.

“Mitrovica ky qytet i historisë, krenarisë, rezistencës, vuajtjes, durimit e mosdorëzimit dhe ku çdo kalldrëm është i larë me gjak këtë vit ka bërë për mua maksimumin e mundshëm, prandaj përgjegjësia për mua është tepër e lartë. Nga sot dera ime është e hapur për secilin pa dallim me apo pa protokoll”, është shprehur kryetari Peci.

Në përmbyllje të fjalimit, Peci ka shtuar se do të punoj me ndershmëri, me zemër, me durim e me drejtësi. “Na duhet dashni për qytetin, na duhet kujdes, na duhet përkushtim, sepse Mitrovica është jo vetëm qyteti ynë por është edhe zemra e Kosovës”, ka thënë ndër të tjerash ai.

Pas betimit, është bërë dorëzim pranimi i detyrës, me ç’rast Faton Peci zyrtarisht ka pranuar detyrën si kryetar i komunës së Mitrovicës, nga ish-kryetari Bedri Hamza.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyrtari i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard…