Haradinaj: Muja me 41 viganë të UÇK-së ranë në male duke mbrojtur nderin e atdheut
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka përkujtuar komandantin Mujë Krasniqi dhe 41 bashkëluftëtarët e tij, të cilët kanë rënë heroikisht 27-vjet më parë.
Haradinaj ka theksuar se sakrifica e tyre shënoi rrugën për krijimin e Ushtrisë së Kosovës, duke jetësuar ëndrrën për një Kosovë të lirë
Postimi i plotë i Haradinajt në “Facebook”:
Mujë Krasniqi, Ali Krasniqi, Shkëlzeni, Luani, Dauti, bashkë me shumë të tjerë, ishin ndër themeluesit e parë të celulave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, krah për krah në betejat më të rënda për liri.
Muja me 41 viganë të UÇK-së ra në male duke mbrojtur pragun e shtëpisë dhe nderin e atdheut. Krah për krah, pa iu trembur syri e të palëkundur, u përjetësuan në historinë e lavdishme të luftës sonë çlirimtare.Aty ku jehuan krismat e pushkëve të Mujës me shokë e shoqe, aty u këndua kënga e lirisë.
Krisma dhe këngë u bënë një për Kosovën e lirë.Pikërisht në përvjetorin e rënies së tyre, 20 vjet më vonë, amaneti u çu në vend, u themelua Ushtria e Kosovës, duke jetësuar ëndrrën tonë të kahmotshme.
Rroftë Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
I përjetshëm qoftë kujtimi për dëshmorët e saj.
Lavdi!



