Enver Hoxhaj hap fushatën, nuk i harron liderët në Hagë dhe iu drejtohet qytetarëve! (video)
Në ditën e parë të fushatës zgjedhore, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili mban numrin 4 në listën e PDK-së, ka publikuar një video-mesazh në ‘Facebook’ drejtuar qytetarëve.
“Me kafën e parë të mëngjesit, dua që t’ju uroj një ditë dhe një fushatë të mbarë për ta bërë një Kosovë sa më të fortë, sa më të drejtë dhe sa më të zhvilluar”, ka deklaruar Hoxhaj.
Ai ka theksuar se fushata e PDK-së synon rikthimin e lidershipit historik dhe përgjegjës në Kosovë. “Për t’ia kthyer Kosovës liderët e saj historikë, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, dhe për ta sjellë në qeverisje Partinë Demokratike të Kosovës”, ka thënë ai.
Sipas Hoxhajt, PDK-ja është forca politike që garanton zgjidhje konkrete për problemet e vendit dhe përfaqësim serioz ndërkombëtar.
“PDK-ja do t’i zgjidhë problemet kryesore që ka vendi nga brenda dhe do ta përfaqësojë denjësisht Kosovën nga jashtë,” ka përfunduar Hoxhaj.
Enver Hoxhaj mban numrin 4 në listën zgjedhore të PDK-së.



