FIFA: 10 milionë euro shpërblim për Kosovën e Shqipërinë nëse kualifikohen në Kupën e Botës
Kombëtarja e Kosovës në futboll dhe Kombëtarja shqiptare, në muajin mars do të luajnë për histori, mundësinë për t’u kualifikuar për Botërorin ë vitit 2026, por edhe për milionat.
Dardanët dhe Kuqezinjtë do të luajnë për një biletë në Botërorin 2026 me shpresën që të kapërcejnë rivalët në gjysmëfinale, Kosova me Sllovakinë e më pas në finale kundër Rumanisë apo Turqisë dhe Shqipëria kundër Polonisë në gjysmëfinale dhe më pas fituesen e çiftit Ukrainë-Suedi, për të shkruar emrin për herë të parë në aktivitetin më të rëndësishëm për kombëtare në botë.
Por paralelisht me prestigjin e kualifikimit, për Kosovën e Shqipërinë do të ketë edhe një premi të majme në lojë. Kjo premi vjen direkt nga FIFA, e cila ka zbuluar se ka rritur shifrën që do t’u paguajë të gjitha skuadrave pjesëmarrëse në Botërorin që zhvillohet në ShBA, Kanada dhe Meksikë.
Këshilli i FIFA-s, i mbledhur në Doha të Katarit me rastin e finales së Kupës Interkontinentale, ka miratuar një pagesë rekord prej 10 milionë eurosh për çdo ekip i cili merr pjesë në Botërorin 2026.
Kjo është shifra më e lartë e akorduar ndonjëherë për ekipet përfaqësuese në një kampionat të tillë, ku janë rritur edhe shpërblimet për çdo fazë që kalohet në turne, për të arritur deri në 50 milionë euro më shumë që do të përfitojë Kombëtarja e cila shpallet kampione e botës.



