Guvernatori Ismaili takohet me përfaqësuesit e ambasadave, në fokus Kartoni i Gjelbër
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, së bashku me zëvendësguvernatorin Milot Cakaj dhe ekipin e BQK-së, zhvilloi një takim me përfaqësuesit e Ambasadave të Austrisë, Gjermanisë dhe Zvicrës për të diskutuar zhvillimet në sektorin financiar të Kosovës dhe aktivitetet reformuese në vijim, me theks të veçantë në sistemin e Kartonit të Gjelbër.
Sipas njoftimit nga BQK, në takim morën pjesë Clarissa Castek, zëvendësshefe e Misionit në Ambasadën e Austrisë në Prishtinë; Christoph Fuchs, zëvendësshef i Misionit në Ambasadën e Zvicrës në Kosovë; dhe Christian Böttcher, zëvendësshef i Misionit në Ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë në Prishtinë.
“Gjatë takimit, Guvernatori Ismaili i informoi përfaqësuesit e ambasadave për zhvillimet kryesore dhe iniciativat reformuese në sektorin financiar, përfshirë progresin në forcimin e kornizës ligjore dhe rregullative. Vëmendje e veçantë iu kushtua reformave të ndërlidhura me integrimin evropian, përfshirë çështjet që lidhen me sistemin e Kartonit të Gjelbër, në kuadër të mandatit të BQK-së për rregullimin dhe mbikëqyrjen e Byrosë Kosovare të Sigurimit dhe sektorit të sigurimeve”, thuhet në njoftim.
Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen ndaj institucioneve të Austrisë, Gjermanisë dhe Zvicrës për mbështetjen e vazhdueshme në forcimin e integritetit, stabilitetit dhe qëndrueshmërisë së sistemit financiar të Kosovës.



