‘Afera WhatsApp’, LDK-ja: LV-ja po zhvishet nga mashtrimi i ‘duarve të pastra’

18 dhjetor 2025 | 11:15

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka mbajtur sot një konferencë për medie ku kanë denoncuar aferën ku është përfshirë ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, për punësimin e Faruk Mujkës në krye të Ibër-Lepencit dhe koordinimin me anëtaren e Vetëvendosjes, Dejona Mihali.

Bisedat e tyre se si Mujka erdhi në krye të kësaj ndërmarrje u publikuan dje nga mediumi “VOX Kosova”.

Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa dhe anëtari i Kryesisë, Berat Rukiqi, ka thënë se kjo ishte “një nga skandalet më të rënda të kësaj qeverie afera ‘WhatsApp’” dhe kanë thënë se kjo është afera “që po zhvesh përfundimisht Vetëvendosjen nga mashtrimi i “duarve të pastra”.

LDK-ja ka “ngritur alarmin se shteti i Kosovës po qeveriset nga grupe private në ‘WhatsApp’, ku punësimet, bordet dhe vendimet publike ndahen mes militantëve partiakë, ndërsa rinia e ndershme dhe profesionistët e kualifikuar përjashtohen”.

Ata kanë thënë se shefi politik i kësaj strukture dhe përgjegjësi kryesor për këtë skemë është kryeministri në detyrë, Albin Kurti, “nën dijeninë dhe mbikëqyrjen e të cilit ka funksionuar kjo formë e kapjes së shtetit”.

“Ndërsa Dejona Mihaili ka vepruar si kapo operative e një strukture parapolitike, pa asnjë funksion zyrtar e shtetëror”.

LDK-ja ka theksuar se mesazhi i LV-së për rininë është brutal: “nëse nuk je militant, nuk ke shans”, u tha në konferencë, duke theksuar se kjo qeveri ka “shndërruar institucionet në degë partie dhe shtetin në pronë private”.

Berat Rukiqi, ka theksuar se afera “WhatsApp” është “kapje e hapur e shtetit, me ndërmarrje publike nën kontroll partiak, borde të dirigjuara, ushtrues detyre për interesa politike dhe pasoja të rënda për qytetarët – nga faturat e energjisë deri te humbja e besimit në shtet”.

LDK-ja ka kërkuar hetim të menjëhershëm, transparencë të plotë dhe “çlirimin e shtetit nga qeverisja e ‘WhatsApp’-it”.

“Kosova meriton shtet ligjor, meritë dhe shpresë, jo pazare, militantë dhe errësirë. Shpresën do të ia rikthejmë vendit me 28 dhjetor!”, ka thënë Mustafa.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për deputet i PDK-së me numër 27, Idriz Vehapi,…