Pas golit ndaj Rizesporit, Rashica do fitoren edhe ndaj Fenerbahçes

21 dhjetor 2025 | 13:46

Më 29 shtator, Beshiktashi fitoi 3:1 në shtëpi ndaj Kocaelisporit.

Më pas në ndeshjet në shtëpi humbi nga Gençlerbirligi e Fenerbahçe, barazoi me Samsunsporin dhe Gaziantepin dhe të shtunën fitoi 1:0 ndaj Rizesporit.

Dhe fitorja erdhi me golin e Milot Rashicës, i cili luajti në qendër të sulmit në pjesën e dytë, përkatësisht pas lëndimit të Tammy Abrahamit.

Rashica shënoi gol të bukur në minutën e 64-të, me të cilin edhe ia siguroi Beshiktashit pikët e plota.

Për 29-vjeçarin është goli i parë këtë edicion në Superligën e Turqisë, ku në 14 paraqitje, i ka edhe dy asistime.

Së fundi kishte realizuar më 21 gusht, në ndeshjen evropiane ndaj ekipit zviceran, Lausanne.

“Jam i lumtur që kemi fituar tri pikë. Ishte e rëndësishme për ne që të reagojmë. Ndonëse nuk kemi luajtur në mënyrë të përkryer, po mundohemi të bëjmë lojë ofenzive. Ka gabime kohë pas kohe. Do të ishte më mirë sikur të shënonim më shumë gola. Kemi dashur t’u tregojmë tifozëve që po luftojmë dhe po përmirësohemi”, ka thënë Rashica pas ndeshjes.

Ndeshja e së shtunës i takoi xhiros së 17-të të Superligës turke. Beshiktashi është në vendin e pestë me 29 pikë.

Menjëherë më 23 dhjetor, Beshiktashin e pret ndeshja e vështirë me Fenerbahçen.

“Jam mësuar që të luaj sulmues. Në Turqi kam luajtur në krahun e djathtë. Gjatë karrierës më herët kam luajtur në krahun e majtë, por edhe si sulmues qendre. Të luaj si sulmnues ishte më mirë për mua. Kam mundur të bëj vrapime prapa mbrojtjes. Bashkëlojtarët po ashtu janë munduar të pasojnë topin tek unë në këto pozita. Kështu edhe e shënuam golin. Do të bëj më të mirën për skuadrën”, ka theksuar Rashica.

“Jemi pa humbje në gjashtë ndeshjet e fundit, por nuk kemi mundur ta mbajmë epërsinë në ndeshjet në të cilat kaluam në avantazh. Do të fillojmë pushimin pas ndeshjes me Fenerbahçen. Duam të tregojmë fytyrë më të mirë të Beshiktashit. Duhet të kemi qasje fituese. Duam të vazhdojmë me fitore”.

Qazim Laçi ishte prej më të mirëve te Rizespori. Altin Zeqiri luajti prej minutës së 60-të te kjo skuadër.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një aksident trafiku, në të cilin humbën jetën dy persona…