Hamza viziton ICK-në: Qeveria ime do të mbështesë fuqishëm ekonominë digjitale dhe inovatorët

22 dhjetor 2025 | 16:00

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka vizituar të hënën Innovation Centre Kosovo (ICK), duke theksuar rolin kyç që teknologjia dhe inovacioni po luajnë në ndërtimin e ekonomisë së re të vendit.

Gjatë vizitës, Hamza është njohur nga afër me punën e vajzave dhe djemve të sektorit të teknologjisë, të cilët po zhvillojnë zgjidhje inovative në fusha si Inteligjenca Artificiale, siguria kibernetike dhe printimi 3D.

Hamza ka bërë me dije se edhe vetë fushata e tij zgjedhore po përdor teknologji të avancuara, si dëshmi konkrete e orientimit drejt së ardhmes.

“Një pjesë e fushatës sime është duke u gjeneruar me Inteligjencë Artificiale, si dëshmi e vizionit dhe përkushtimit tonë për inovacionin dhe të ardhmen”, ka thënë Hamza.

Kandidati për kryeministër ka nënvizuar se mbështetja për sektorin e dijes dhe inovacionit do të jetë prioritet i qeverisjes së tij.

“Si kryeministër, do të punoj që Kosova të bëhet një shtet i dijes, me ekonomi digjitale të zhvilluar dhe mbështetje të vazhdueshme për inovatorët tanë”, ka thënë Hamza.

Sipas tij, investimi në teknologji, inovacion dhe të rinjtë kreativë është çelësi për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe për krijimin e vendeve të reja të punës me vlerë të shtuar për Kosovën.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i degës së PDK-së në Heilbronn të Gjermanisë, Naser…