Mbi 1 miliard euro të hyra të mbledhura nga tatimet – ATK shënon rekord historik
Administrata Tatimore e Kosovës ka mbajtur sot Konferencën Vjetore për Media, në të cilën Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, z. Mentor Hyseni, prezantoi rezultatin më të lartë historik në mbledhjen e të hyrave tatimore.
Në këtë konferencë Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati tha se ky rekord është arritur si rezultat i një qasjeje të qartë politike: shtet më i fortë, institucione më funksionale dhe barazi për të gjithë tatimpaguesit. Përmes politikave tona fiskale, kemi krijuar kushtet që Administrata Tatimore e Kosovës të ketë mbështetjen e nevojshme për të vepruar me profesionalizëm, integritet dhe pavarësi.
Si Qeveri dhe si Ministri e Financave, kemi mbështetur dhe do të vazhdojmë ta mbështesim fuqishëm ATK-në, përmes politikave fiskale që forcojnë kapacitetet e saj, modernizojnë proceset dhe avancojnë digjitalizimin.
Gjatë këtij viti, ATK ka arritur të mbledhë mbi 1 miliard euro të hyra nga tatimet, duke thyer të gjitha rekordet e mëparshme dhe duke shënuar një moment historik për financat publike të Republikës së Kosovës. Ky rezultat pasqyron rritjen e përmbushjes vullnetare tatimore, forcimin e administrimit tatimor dhe efektet pozitive të reformave institucionale.
Ndërsa, në prezantimin e tij Drejtori i Përgjithshëm Mentor Hyseni, theksoi se një miliard euro të hyra nga tatimet janë rezultat konkret i një ndryshimi real në mënyrën si funksionon ATK. Kjo nuk është rastësi, por produkt i disiplinës institucionale, punës së vazhdueshme në terren dhe rritjes së përmbushjes tatimore.
Tutje, ai tha se gjatë këtij viti kemi qenë të qartë: bizneset që respektojnë ligjin i kemi mbështetur, ndërsa ato me rrezik të lartë dhe me sjellje të parregullta i kemi trajtuar me vendosmëri, bazuar në analiza të sakta të riskut dhe jo në veprime selektive. Po ashtu, u theksua se vizioni i autoritetit tatimor mbetet ndërtimi i një administrate tatimore moderne dhe të besueshme, që mbështet konkurrencën e ndershme, forcon rendin fiskal dhe siguron drejtësi tatimore për të gjithë.
Në përmbyllje të konferencës, z.Hyseni shprehu mirënjohje dhe falënderim të thellë për të gjithë tatimpaguesit e Republikës së Kosovës për përgjegjësinë e lartë qytetare dhe përkushtimin në përmbushjen e obligimeve tatimore, si dhe për stafin e ATK-së, i cili me integritet, profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm ka dhënë kontribut vendimtar në realizimin e këtij suksesi historik.
Ai gjithashtu, falënderoj mediat për mbështetjen dhe bashkëpunimin gjatë gjithë vitit, për mbulimin e punës dhe rezultateve të ATK-së, duke e bërë të mundur që qytetarët dhe bizneset të jenë të informuar në çdo hap të progresit të sistemit tatimor.



